Spiunët e BIA-s bënin plane për incidente ndëretnike në Kosovë

Përpos audios ku dëgjohen duke biseduar i dyshuari për spiunazh Bedri Shabani, me oficerin e BIA-s,  mësohet se Bogoljub Janiceviq, ish-shef i Sekretariatit për Punë të Brendshme në rajonin e Ferizajt, ka qenë personi që i ka vënë në kontakt dy të parët.

“Ti çfarë mendon? Do t’i pyesësh ata tuajt që ta shtyjnë (nxisin), apo do të flenë? Më kupton!”.

Një ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, më 25 shtator 2023, përmes telefonit, Bedri Shabani e pyet oficerin e BIA-s serbe, Srgjan Rosiqin se a do të nxisin situatën pas agresionit ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Rosiq përmes telefonit, në audiot që i ka publikuar portali “The Geopost” thotë “E shtyjnë, e shtyjnë.. por këta paksa… po presin që këta shokët të zgjohen…”

I arrestuari për spiunazh Bedri Shabani duke iu referuar vetes në shumës, thotë se “… mendojmë që të tjerët ta ngacmojnë tërthorazi, të tjerët ta ndezin, e ne pastaj, t’i vëmë benzinë që të marr flakë edhe më shumë…!

Shabani e vazhdon bisedën me oficerin e BIA-s me prejardhje nga Shtërpca duke i thënë se “kanë dashur t’i nxisin të dyja anët…”

Burimet e RTV Dukagjini brenda institucioneve të sigurisë thonë se me këtë bisedë dhe në takime të tjera është folur për shkaktimin e një incidenti ndëretnik që planifikohej të realizohet në territorin e Kosovës.

Në komunikimet që i ka siguruar Agjencia e Inteligjencës, Bedri Shabani është dëgjuar duke folur për rastin e Banjskës, e ku e “akuzon” palën serbe për organizim amator të rastit duke thënë se “pse nuk na keni përfshi neve, e din cka bëjmë ne”.

Burimet thonë se e dijnë edhe emrin e personit për të cilin besojnë se ka qenë “mësiti” i kontaktit të Bedri Shabanit me oficerin e BIA-s, Sergjan Rosiq.

Emri i tij është Bogoljub Janiceviq. Ai është bashkë autor i librit “Recaku – e vërteta e plotë”. Janiceviq ka qenë, shef i Sekretariatit për Punë të Brendshme në rajonin e Ferizajt

Sipas informacioenve të televizionit Janiceviq është mik i vjetër i Bedri Shabanit.

Dukagjini ka biseduar me disa persona të këtij rajoni të cilët kanë thënë se Janiceviq dyshohet se është njëri ndër arkitektët kryesorë të Planit të Veprimit të forcave serbe për sulm mbi fshatin Reçak.

Leave a Reply