BBC: Roja bregdetare greke hodhi qëllimisht emigrantët në det, rrëfimet shokuese të të mbijetuarëve

“Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare”, ka denoncuar prestigjiozja britanike BBC, duke cituar dëshmitarë të cilët thonë se janë hedhur qëllimisht në ujë.

Të nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat territoriale greke ose që janë nxjerrë sërish në det pasi arritën në ishujt grekë, sipas BBC.

Roja bregdetare greke  ka kundërshtuar me forcë të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.

Media britanike shkruan se ka publikuar pamjet e 12 personave duke u futur në një varkë të rojes bregdetare greke dhe më pas janë braktisur në një gomone.

Qeveria greke është akuzuar prej kohësh për kthime të detyruara, duke i shtyrë njerëzit drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Por, BBC ka publikuar shifrat që tregojnë se emigrantët kanë vdekur si rezultat i veprimeve të rojes bregdetare greke.

“15 incidentet që analizuam, të datës maj 2020-2023, rezultuan në 43 vdekje. Burimet fillestare ishin kryesisht mediat lokale, OJQ-të dhe roja bregdetare turke”, shkruan BBC.

Verifikimi i llogarive të tilla është jashtëzakonisht i vështirë, dëshmitarët shpesh zhduken, ose janë shumë të frikësuar për të folur.

Por në katër nga këto raste ne ishim BBC ishte në gjendje të vërtetonte rrëfimet duke folur me dëshmitarë okularë.

Në pesë nga incidentet, emigrantët thanë se u hodhën direkt në det nga autoritetet greke.

Në katër prej këtyre rasteve ata shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u gjuajtën. Në disa incidente të tjera, emigrantët thanë se ishin futur në gomone të fryrë pa motorë, të cilët më pas u shfrynë, ose dukej se ishin shpuar.

Një nga rrëfimet më rrëqethëse u dha nga një burrë nga Kameruni, i cili thotë se u ndoq nga autoritetet greke pasi zbarkoi në ishullin Samos në shtator 2021.

Ai tha se po planifikonte të regjistrohej në tokën greke si azilkërkues.

“Ne mezi ishim ankoruar dhe policia erdhi nga pas”, tha ai.

“Ishin dy policë të veshur me të zeza, dhe tre të tjerë me rroba civile. Ata ishin të maskuar, i shihje vetëm sytë.”

Ai dhe dy të tjerë, një tjetër nga Kameruni dhe një burrë nga Bregu i Fildishtë, u transferuan në një varkë të rojes bregdetare greke, tha ai, ku ngjarjet morën një kthesë të tmerrshme.

“Ata filluan me kamerunian. E hodhën në ujë”, tha personi nga Bregu i Fildishtë.

“Më shpëto, nuk dua të vdes”,… dhe më pas vetëm dora e tij ishte mbi ujë dhe trupi i tij ishte poshtë.

Ngadalë dora i rrëshqiti poshtë dhe uji e përfshiu.

I intervistuari i BBC thotë se policët e rrahën.

“Ishte sikur po godisnin një kafshë.”

Dhe më pas ai thotë se e kanë shtyrë edhe atë në ujë, pa jelek shpëtimi. Ai ishte në gjendje të notonte deri në breg, por trupat e dy të tjerëve, Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana, u gjetën në vijën bregdetare turke.

Avokatët e të mbijetuarit kërkojnë që autoritetet greke të hapin një çështje vrasjeje të dyfishtë.

Në qershor 2023, një peshkarexhë e mbingarkuar u mbyt përpara një varke patrullimi të rojes bregdetare greke. Më shumë se 600 burra, gra dhe fëmijë vdiqën në ujë. Por kush është përgjegjës dhe a ka faj roja bregdetare? Një tjetër burrë, nga Somalia, i tha BBC-së se si në mars 2021 ai ishte kapur nga ushtria greke me mbërritjen në ishullin e Kios, e cila më pas ia dorëzoi rojes bregdetare greke.

Ai tha se roja bregdetare ia kishte lidhur duart pas shpine, përpara se ta hidhte në ujë.

“Më hodhën me zinxhir në mes të detit, donin të vdisja”, tha ai.

Ai tha se arriti të mbijetonte duke notuar në shpinë.

Mohamed, nga Siria, tha se ata thirrën rojen bregdetare greke për ndihmë, e cila i ngarkoi në një varkë, i ktheu në ujërat turke dhe i futi në gomone. Mohamed thotë se gomonia që iu dha atij dhe familjes së tij nuk e kishte t të mbyllur siç duhet valvulën.

“Ne filluam menjëherë të fundosenim, ata e panë atë… Ata na dëgjuan të gjithëve duke bërtitur, por megjithatë ata na lanë,” tha ai për BBC.

“Fëmija i parë që vdiq ishte djali i kushëririt tim… Pas kësaj vdiqën një nga një. Një fëmijë tjetër, një fëmijë tjetër, pastaj vetë kushëriri im. Në mëngjes kishin vdekur shtatë ose tetë fëmijë.

“Fëmijët e mi nuk vdiqën deri në mëngjes… pak para se të mbërrinte roja bregdetare turke.”

Ligji grek u lejon të gjithë emigrantëve që kërkojnë azil, të regjistrojnë kërkesën e tyre në disa prej ishujve në qendra të veçanta regjistrimi.

Por të intervistuarit e BBC, thanë se ata u kapën përpara se të arrinin në këto qendra.

Grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se mijëra njerëz që kërkojnë azil në Evropë janë detyruar të kthehen ilegalisht nga Greqia në Turqi dhe u është mohuar e drejta për të kërkuar azil, e cila është e sanksionuar në ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së.

Leave a Reply