Elementet sektarizues nuk kanë të bëjnë asgjë as me shqiptari e as me fe, porse, thjesht, janë përrenj që e çojnë ujin në jazin e mullirit të huaj. Atëherë, shtrohet edhe një pyetje esenciale – sa një partie politike kombëtare i duhet vota e këtij elementi destruktiv? Sa është kombëtarisht i shëndetshëm bashkëpunimi dhe përfshirja e këtij elementi në mesin e elektoratit partiak
Nga Mr. Abaz Islami
Sistemet demokratike-liberale ndërtohen dhe funksionojnë mbi baza të programeve dhe platformave të hartuara nga subjektet e ndryshme politike e civile. Programet ngërthejnë interesa partiake, shoqërore por dhe shtetërore, të cilat nuk dalin nga kornizat e interesit të përgjithshëm të një shoqërie. Liritë e ndryshme, si ajo e mendimit, e shprehjes së mendimit, e fjalës, liria fetare etj. janë një sërë vlerash të kodifikuara në rregulloret e veçanta (kushtetutë) dhe të sanskionuara me ligje. Cenimi i këtyre lirive është përpjekje e tërthortë për të rrëshqitur në diktaturë, në anarki, në sektarizim politik e fetar të shoqërisë.
Sistemi demokratik-liberal nuk nënkupton anarki dhe, madje nuk nënkupon as liri dhe e drejtë për të abuzuar në emër të vlerave të këtij sistemi. Këto vlera të këtyre sistemeve janë të vlefshme vetëm në fushat përkatëse dhe, assesi nuk guxon të përzihen në mes vete. Sa më shumë që ruhen këto liri dhe këto të drejta, sa më shumë që jetësohen në përditshmëri, sa më shumë që respektohen dhe kultivohen në shoqëri, aq më stabël do të jetë shteti dhe populli.
Në shoqëritë që janë formësuar dhe rritur në diktaturë apo në kolonializëm e në robëri, e që sapo kanë dalur në sistem demokratik, gjasat për t’i keqkuptuar këto vlera janë shumë të mëdha. Madje jo vetëm gjasat, por shquhen tendencat e qëllimshme për t’i keqpërdorur ato vlera, për t’i refuzuar dhe për t’i luftuar. Psikiatria këtë fenomen do ta shpjegonte si “Sindroma e Stokholmit”!
Pa dyshim, kjo “sindromë” nuk ka kuptim të diagnostifikohet në situata kur luftimi i vlerave demokratike bëhet nga rrymat, tendencat, sektet që përfaqësojnë interesa të huaja dhe që imponohen si vlera nacionale në vend të atyre demokratike. Në të dy rastet propabiliteti për dëm të interesave nacionale është i jashtëzakonshëm. Në të tilla raste, ndihma që ftohet për t’i zbërthyer ato “vlera” të dyshimta është e domosdoshme, e qëlluar dhe shumë e rëndësishme.
Ta konkretizojmë problemin! Ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut funksionojnë disa parti politike, të cilat luftojnë për sa më shumë liri dhe të drejta për popullatën të cilën e përfaqësojnë. Kjo popullatë i përket gati qind për qind shkollës juridike hanefite të besimit islam! Natyrisht, politikisht kjo popullatë është edhe elektorat i partive. Partitë janë shumë të interesuar që të sigurojnë përkrahje sa më masovike nga elektoratet e ndryshme. Ky është interesi jetik dhe parësor i çdo partie, sepse, pa këtë përkrahje nuk arrihet te sendërtimi i programit partiak. Fatkeqësisht, deri më sot, ky interes është treguar mjaft i dëmshëm për partitë tona shqiptare, madje tepër i rrezikshëm për shoqërinë tonë! Ky interes ia ka dalur që “t’i disiplinojë” partitë tona dhe mos të jenë vigjilentë në “prurjet” që vijnë si llumi i përroit pas vërshimave!
Në emër “të lirive dhe të të drejtave” të ndryshme në shoqërinë tonë ka mbirë turlifarë egjri që po e dëmton trungun e unitetit kombëtar dhe që po e lakuriqëson deri në palcë “angazhimin kombëtar” të çdo partie politike!
A është nevojë e kombit apo e fesë mbirja dhe përhapja e këtij egjri në shoqërinë tonë?! Më saktë, a e dinë liderët tanë politik se sot në Maqedoninë e Veriut, në mesin e shqiptarëve të këtushëm, funksionon komuniteti i tekfiristëve, vehabistëve, dervishistëve, selefistëve, i ihvanxhive, i sulejmanxhive, i nurxhive, i shiitëve (agjenturë iraniane), i gylenistëve…kemi të regjistruara grupe religjioze, forume, fondacione, shoqata, dhe, a e dinë liderët tanë politik se të gjitha këto komunitete kanë përfaqësues të tyre benda Bashkësisë Fetare Islame, e cila është shndërruar si në kotec i shërbimeve të huaja intelegjene? Interes i kujt është formimi i këtyre “komuniteteve”? Është interes i shqiptarëve?! A është interes i shqiptarëve, apo i partive politike shqiptare legalizimi dhe legjitimimi i këtyre agjenturave të huaja! Sa këta struktura i njohin liderët dhe subjektet tona politike? Të gjitha këto komunitete sektarizuese nuk kanë të bëjnë asgjë as me shqiptari e as me fe, porse, thjesht, janë përrenj që e çojnë ujin në jazin e mullirit të huaj. Atëherë, shtrohet edhe një pyetje esenciale – sa një partie politike kombëtare i duhet vota e këtij elementi destruktiv? Sa është kombëtarisht i shëndetshëm bashkëpunimi dhe përfshirja e këtij elementi në mesin e elektoratit partiak?
Drejtusit e këtyre sketeve i ke gjithandej, futen gjithkund, në çdo event, në çdo aktivitet, qoftë politik, human apo kulturor, madje përbirohen deri te lideri dhe, fap, një foto apo një sellfie? Po pse? Për interesin e liderit politik? Për ta shtuar votën partiake? Për ta pasuruar elektoratin partiak? Jo, thjesht, për ta ilustruar raportimin në agjenturat amë mbi aktivitetin e sektit-komunitetit-agjenturës! Kësisoj, fatkeqësisht, të gjithë liderët po na përfshihen në agjentura të huaja! Ndërsa, si shtete, jemi në vëzhgim, në zbulim e në gjah të agjentëve me identitet rus e serb! Po këta të tjerët që janë vegza të këtyre agjenturave?