Greqia po lufton për të dytën ditë rresht me disa dhjetëra vatra zjarresh që kanë shpërthyer në mbarë vendin, sidomos në zonat jugore.
Sipas shërbimit zjarrfikës vetëm në 24 orët e fundit kanë rënë 64 zjarre, 45 prej të cilave brenda disa orësh. Autoritetet kanë dërguar mesazh me numrin e urgjencës 112 për rastet e katastrofave në disa zona në mënyrë që banorët ti evakuojnë ato.
Dhjetëra zjarrfikës të ndihmuar nga tetë avionë po përpiqen prej disa orësh të shuajnë zjarret në pyjet e rajonit të Ahaias dhe Ilias në gadishullin e Peloponezit pranë qytetit të Kranidit.
Situata bëhet e vështirë pasi në disa raste, shpejtësia e erës i kalon 95 kilometra në orë. Ndërsa edhe temperaturat janë tepër të larta.
Zjarret më të rrezikshme me të cilat përballen zjarrfikësit dhe që kërcënojnë vendbanimet në disa fshatra, janë në Megalopolis të Arkadisë, Mastrantoni të Ahaisë, Kranidi të Argolisë dhe Alpohori në Ilia.
Në disa fshatra të tjerë pamjet e dëmeve të shkaktuara nga zjarri janë tronditëse.
Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet e Patrës, Pirgos dhe Argolisë janë vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të zjarreve të vazhdueshme në zonë . Ndërkohë një 55-vjeçar ka humbur jetën nga asfiksia gjatë përpjekjeve për fikjen e zjarrit.
Përveç gadishullit të Peloponezit flakët po shkrumbojnë disa zona pyjore në Amfithea të Larisës, në Tebë ,në Agios Spiridon të Viotisë , në Fthiotida dhe Evia.
Greqia ka vite që përballet me zjarret e mëdha , por ato janë bërë më shkatërruese pasi verat janë bërë më të nxehta dhe më të thata.
Ministria e Mbrojtjes civile ka shpallur gjendjen e gadishmërisë. Vetëm në dy zonat më të rrezikshme të zjerreve të sotme , në Kranidhi dhe Ahaia operojnë mbi 650 zjarrfikës me 60 automjete dhe 8 avionë dhe 1 helikopter.
Kurse në Fthiotida dhe Megalopolis operojnë 100 zjarrfikës me një grup këmbësorësh, 26 automjete, 8 avionë dhe 4 helikopterë.