Uragani “Helene”, rreth 100 të zhdukur në Karolinën e Veriut

Rreth 100 persona raportohen të zhdukur në Karolinën e Veriut, disa javë pasi uragani “Helene” shkatërroi pjesën perëndimore të shtetit. Lajmin e bëri të ditur guvernatori Roy Cooper.

Në një konferencë për shtyp, Cooper paralajmëroi se numri i të zhdukurve mund të ndryshojë me marrjen e më shumë informacioneve të detajuara.

“Dua të paralajmëroj se ky nuk është një numër përfundimtar, sepse task-forca po vazhdon punën e saj,” tha ai.

Gjatë konferencës për shtyp, Cooper iu referua po ashtu rrjedhës së dezinformatave që qarkullojnë lidhur me uraganin, për të cilat tha se po ndërlikojnë përpjekjet e ndihmës.

Ai tha se një keqinformim i tillë ngjall konfuzion dhe demoralizon të mbijetuarit e stuhisë dhe punonjësit e kërkim-shpëtimit.

“Nëse jeni duke marrë pjesë në përhapjen e këtyre gjërave, ndaloni! Cilido qoftë qëllimi juaj, njerëzit që po lëndoni me të vërtetë janë ata në Karolinën e Veriut perëndimore që kanë nevojë për ndihmë.”

Vërejtjet e tij vijnë pasi punonjësve u është dashur të përballen me mosbesimin në rritje nga disa banorë lokalë si rezultat i përhapjes së një numri teorish të rreme konspirative në lidhje me “Helene”.

Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave të SHBA ka thënë se i është dashur të bëjë ndryshime në operacionet e saj, duke u tërhequr nga një qark për shkak të kërcënimeve të nxitura nga dezinformatat.

Leave a Reply