Parkingu kthehet në varrezë masive në Spanjë! Valencia para dhe pas përmbytjeve katastrofike

Në parkingun e një qendre tregtare në qytetin Aldaja, një nga zonat e prekura nga përmbytjet katastrofike në Spanjë niveli i ujit është ende tre metra.

Zhytësit spanjollë që mundën të hyjnë për herë të parë thanë se ai parking me 5700 vende mund të jetë kthyer në një varrezë masive duke marrë në konsideratë faktin që në momentin e përmbytjes, të martën pasdite, dyqanet e veshjeve, restorantet dhe kinematë ishin të hapura dhe në këtë qendër tregtare kishte qindra njerëz.

“I gjithë rajoni i Valencias kërkon më shumë ushtarë, makineri dhe fonde për t’u përballur me përmbytjen e dytë më të keqe të shekullit të regjistruar ndonjëherë“, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez duke njoftuar edhe dërgimin e 5 mijë ushtarëve të tjerë për ndihmë në zonat e katastrofës, ndërkohë që zemërimi tek popullata se qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për t’ju ardhur në ndihmë banorëve që kanë mbetur mes ujit e baltës sa vjen e shtohet.

Numri i të vdekurve të konfirmuar i ka kaluar tashmë 200 e po aq rezultojnë të zhdukur. Rreth 366 mijë banorë kanë mbetur pa ujë të pijshëm dhe 50 mijë të tjerë pa energji elektrike.

Katastrofën e tregojnë më së miri këto imazhe satelitore para dhe pas përmbytjeve në Valencia, qyteti lindor spanjoll që u godit më rëndë.

Ndërkohë parashikohet që këtë fundjavë në rajonet më të prekura si Valencia, Castile La Mancha, Andaluzia dhe Katalonjës pritet të ketë sërish reshje dhe banorët këshillohen të qëndrojnë brenda banesave të tyre.

Leave a Reply