Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani duke folur në takimin Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës, theksoi se nga hetimet për krimin e organizuar kemi evidentuar lidhjet e krimit me zyrtarë të niveleve të ndryshme, që janë korruptuar apo janë bërë pjesë e grupeve të krimit të organizuar.
Dumani shtoi gjithashtu se SPAK ka bashkëpunime me shumicën e vendeve të BE-së, ndërsa theksoi se Prokuroria Speciale ka rritur hetimet proaktive. Në këtë kuadër, Dumani tha se shtylla e suksesit të SPAK është bashkëpunimi ndërkombëtar
“SPAK duhet të fokusohet në çështjet më të ndjeshme dhe që janë më vështirë për t’u hetuar”, u shpreh Dumani.
Ai tha se në fund të këtij viti SPAK do të përfaqësojë rolin e Komisionerit Publik në rastet kur mund të ketë ankesa në KPA ndaj vendimeve të KPK për gjyqtarët dhe prokurorët, përsa i takon procesit të Vetting.
“Kemi nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera në luftën ndaj korrupsionit”, tha Dumani, duke theksuar se korrupsioni nuk mund të luftohet i vetëm nga SPAK.
Kreu i SPAK tha se është ushtruar ndjekja penale ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe drejtuesve të pushtetit vendor, apo ish-drejtuesve të Bashkive.
Ai tha se numri i total i të paraburgosurve me kërkesë të SPAK është më pak se 9%.
“Kemi një laborator modern të përgjimeve, një laborator modern të ekspertizës kriminalistike, gjithashtu kemi investuar në mjete dhe teknologji bashkëkohore që na shërben në kryerjen e hetimeve të suksesshme”, tha Dumani.
Në vijim, kreu i SPAK tha se nga vitit 2020 deri në 2023 janë krijuar 32 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 25 janë aktive. “Janë të angazhuara në hetimin e veprave të rënda nga trafiku i narkotikëve, te pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim në formën e grupeve apo organizatave kriminale”, tha Dumani.