Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencin, Kurti: Urdhrin e dha Radoiçiç, Serbia e financoi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë këtë të martën se Millan Radoiçiç ka dhënë urdhrin për kryerje të sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa Serbia ka përgjegjësi për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmit.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës.

Sipas tij, përkrahja që i ofron Beogradi zyrtar, atij që e ka quajtur grup terrorist të Millan Radoiçiçit, nuk mund të quhet ndryshe, pos koordinim i shtetit serb me këtë grup për të intensifikuar luftën hibride kundër Kosovës.

Kurti e ka prezantuar një kronologji të 15 sulmeve, që sipas tij, e kanë pasur synim për të dëmtuar Kosovën “në mënyrë terroriste” nga 30 qershori deri më 29 nëntor të këtij viti, dhe që kanë kulmuar me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Kurti ka thënë se Radoiçiç, i cili aktualisht besohet se është në Serbi i lirë ka autorizuar persona për të kryer sulme në Kosovë disa herë gjatë vitit.

Millan Radoiçiç është në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi e ka pranuar organizimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Si pasojë e këtij sulmi, që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Serbia, në anën, tjetër, hedh poshtë këto akuza.

Leave a Reply