Kombëtarja shqiptare përgatitet për dy përballje të rëndësishme në muajin qershor. Fillimisht, më 7 qershor, Shqipëria do të presë Serbinë në stadiumin “Arena Kombetare”, ndërsa tre ditë më pas do të udhëtojë drejt Letonisë për një tjetër sfidë.
I ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, gazetari sportiv Uvil Zajmi komentoi ndeshjen me Serbinë, duke theksuar rëndësinë që kjo përballje të mbetet vetëm një garë sportive dhe të mos ndikohet nga ngjarje apo tensione të së kaluarës.
“Jam i bindur që do jetë vetëm një takim sportiv, garë e pastër. Ekipi serb ka lojtarë protagonistë në ekipet ku luajnë, ndryshe nga ne. Janë fizikisht të fortë, por ndeshjet nuk fitohen vetëm me forcë, ne kemi nevojë për zgjuarsi taktike. Do e pranoja me kënaqësi edhe një barazim, pasi humbja do kishte pasoja emocionale dhe psikologjike”, u shpreh Zajmi.
Ai komentoi edhe deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili iu drejtua ekipit të tij me fjalët: “Shkoni në Shqipëri dhe mundni ata.” Megjithatë, Zajmi theksoi se lojtarët janë profesionistë dhe nuk duhen përfshirë në çështje politike:
“Sportistët janë shumë profesionistë. Nuk dua t’i rikthehem ngjarjes së Beogradit, por lojtarët në fushë në atë rast kanë qenë shumë korrket. Ata kanë interesat e tyre dhe nuk kanë asnjë lidhje me politikën. Po marr një shembull. Vlaovic, lojtari i Juventusit ka porblimein e transferimit e tij. Nuk mund ta provokosh atë. Çdo provokim, edhe më i vogli, mund të sjellë ndëshkime drastike nga UEFA dhe FIFA.”
Gazetari bëri thirrje për qetësi nga tifozët shqiptarë, duke paralajmëruar se çdo incident mund të dëmtojë Kombëtaren: “Besoj që tifozeria është ndërgjegjësuar. Nuk pres asnjë ngjarje të padëshiruar.”
Për sa i përket listës së 27 lojtarëve të përzgjedhur nga trajneri Sylvinho, Zajmi tha se i beson zgjedhjeve të stafit teknik: “Sylvinho ka një staf shumë të gjerë. E vetmja pikë ku kemi mangësi është lojtari që mund të finalizojë aksionet – pasi Serbia ka një mbrojtje të hekurt.”
Ai përmendi Brojën, Uzunin dhe Asanin si pjesë të vijës së parë sulmuese, duke shtuar: “Loja në individualitet është e vështirë për ne. Serbia ka lojtarë të fortë në aspektin individual, ndaj duhet të luajmë si grup, me organizim dhe kujdes taktik.”
Shqipëria do të kërkojë të marrë një rezultat pozitiv në këtë përballje të ndjeshme dhe me rëndësi, ndërsa sytë janë nga një lojë e kujdesshme, e disiplinuar dhe e qetë, si në fushë, ashtu edhe në tribuna./vizionplus.tv


