Trump: 50% tarifa për aluminin dhe çelikun

Vendimi pritet të thellojë luftën tregtare me Kinën

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se planifikon të rrisë tarifat për importin e çelikut dhe aluminit nga 25% që është aktualisht në 50%. Në një tubim në Pensilvani ai tha se kjo masë do të fuqizonte industrinë vendase dhe duke zvogëluar varësinë nga Kina.

“Do të rrisim në masën 50%  tarifat për çelikun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse nuk ke çelik, nuk ke industri. Nuk mund të krijosh ushtri. Një industri e fortë çeliku nuk është vetëm çështje dinjiteti apo prosperiteti dhe krenarie. Është mbi të gjitha çështje sigurie kombëtare”,tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Trump përshëndeti edhe një marrëveshje prej 14 miliard dollarësh midis kompanive amerikane të çelikut me ato japoneze. Në shkurt, Trump rriti tarifat e çelikut dhe aluminit në nivelin prej 25%  në një nga hapat e tij të parë për të ndihmuar industritë amerikane në vështirësi.

Tarifat do të zbatohen për importet e çelikut dhe aluminit edhe nga Kanadaja, Brazili, Meksika, Koreja e Jugut dhe vende të tjera. Dyfishimi i tarifave për çelikun dhe aluminin pritet të thellojë luftën tregtare globale me Kinën të cilën Trump e akuzoi për shkelje të marrëveshjes me SHBA-në për të hequr reciprokisht tarifat dhe kufizimet tregtare për mineralet.

Leave a Reply