Një lajm tronditës ka ardhur nga Spanja mëngjesin e sotëm, ku është konfirmuar vdekja e futbollistit portugez të Liverpoolit, Diogo Jota dhe e vëllait të tij, Andre Felipe Silva, si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku.
Sipas deklaratës zyrtare të dhënë verbalisht nga autoritetet spanjolle, aksidenti ndodhi në orën 01:30, në komunën Cernadilla, në provincën Zamora të Spanjës. Automjeti me të cilin udhëtonin vëllezërit, një Lamborghini, pësoi një defekt në gomë gjatë një parakalimi, duke humbur kontrollin dhe duke dalë nga rruga.
Si pasojë, automjeti shpërtheu në flakë dhe të dy pasagjerët, Diogo Jota dhe Andre Felipe, humbën jetën në vendngjarje.
Lajmi vjen vetëm pak ditë pasi Diogo Jota kishte kurorëzuar dashurinë e tij me Rute Cardoso më 22 qershor 2025. Çifti e kishte ndarë lajmin për martesën në rrjetet sociale me mbishkrimin “Po, përgjithmonë”.
Autoritetet spanjolle, të pyetura për të konfirmuar identitetin e viktimave, deklaruan: “Bëhet fjalë për lojtarin dhe vëllain e tij, Andre Silva”.


