Zelensky: Ukraina dhe Rusia janë gati për bisedime të reja paqeje

Rusia dhe Ukraina do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh paqeje në Stamboll të mërkurën, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Sot, diskutova me shefin e Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov përgatitjet për një shkëmbim të të burgosurve dhe një takim tjetër në Turqi me palën ruse”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm të hënën.

“Umerov raportoi se takimi është planifikuar për të mërkurën.”

Zelensky propozoi bisedime të reja në fundjavë, disa ditë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi Rusinë me sanksione “të ashpra” nëse nuk do të kishte armëpushim midis Moskës dhe Kievit brenda 50 ditëve.

Uashingtoni ka premtuar gjithashtu armë të reja për ushtrinë ukrainase, pasi Rusia intensifikoi sulmet.

Një fëmijë u vra gjatë natës të së martës, kur një bombë ruse goditi një bllok apartamentesh në qytetin lindor të Kramatorskut, thanë zyrtarët lokalë.

Ndërkohë, forcat ukrainase thanë se kishin zmbrapsur më shumë se 50 sulme në zonën e Pokrovskut në Ukrainën lindore, ku Rusia ka përqendruar pjesën më të madhe të sulmeve në muajt e fundit.

Grupet ruse të sabotimit tashmë janë përpjekur të hyjnë në qytet, sipas komandantit ushtarak të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi.

Moska nuk ka komentuar mbi bisedimet e paqes që janë planifikuar të zhvillohen në Stamboll. Dy raunde u zhvilluan në qytet në maj dhe qershor dhe çuan në një seri shkëmbimesh të të burgosurve.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar një burim, tha se raundi i fundit i bisedimeve do të zhvillohet gjatë dy ditëve, të enjten dhe të premten.

Leave a Reply