42-vjeçari plagos me thikë 11 persona në një supermarket në Michigan, 6 në gjendje kritike

Autoritetet në Michigan kanë njoftuar se një burrë 42-vjeçar ka plagosur me thikë 11 persona pranë arkës së një supermarketi Walmart në Traverse City, pasditen e 26 korrikut. Sipas Sherifit të Qarkut Grand Traverse, Michael Shea, sulmi duket se ka qenë i rastësishëm dhe autori ka përdorur një thikë të zakonshme palosëse.

Disa qytetarë që ndodheshin në vendngjarje ndihmuan për ta neutralizuar autorin. “Bazuar në të dhënat që kemi deri tani, bëhet fjalë për veprime të rastësishme,” deklaroi Shea për mediat. Ai shtoi se më shumë detaje mbi autorin apo motivin e mundshëm nuk do të jepen derisa të përfundojë hetimi, që po zhvillohet me ndihmën e policisë shtetërore dhe FBI-së.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 me orën lokale.

Sipas një njoftimi nga Munson Healthcare, një qendër shëndetësore në pjesën veriore të Michiganit, të gjithë të plagosurit janë duke u trajtuar në Munson Medical Center. Gjashtë prej tyre janë në gjendje kritike, ndërsa pesë të tjerë në gjendje serioze.

Në një postim në Facebook rreth orës 20:30 me orën lindore të SHBA-së, Munson falënderoi stafin e saj për reagimin profesional dhe të shpejtë në këtë situatë tragjike. “Çdo departament dhe ekip në Munson Medical Center, si dhe në të gjithë sistemin tonë shëndetësor, dha maksimumin për të siguruar kujdesin për viktimat, por edhe për pacientët e tjerë që kishin nevojë për ndihmë mjekësore,” thuhet në deklaratë.

Leave a Reply