Personalitetet izraelite kërkojnë sanksione të ashpra ndaj vendit për urinë në Gaza

Një grup personalitetesh të njohura izraelite, përfshirë artistë, akademikë dhe ish-zyrtarë të lartë, i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë sanksione të ashpra ndaj Izraelit, për shkak të urisë në rritje në Rripin e Gazës.

Në një letër të hapur të publikuar nga “The Guardian”, 31 firmëtarët, mes tyre fitues çmimesh prestigjioze si Yuval Abraham, ish-prokurori i përgjithshëm Michael Ben-Yair dhe ish-kryetari i Knesetit, Avraham Burg, akuzojnë qeverinë izraelite për “urinë të qëllimshme dhe përpjekje për dëbim masiv të palestinezëve”.

Letra, që vjen në një moment kur viktimat në Gaza sipas autoriteteve lokale kanë kaluar shifrën e 60 mijë, përfaqëson një thyerje të hapur të tabusë së vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare ndaj Izraelit, në një klimë politike ku zërat kritikë shpesh janë ndëshkuar me ligj.

“Bota duhet të ushtrojë presion real për t’i dhënë fund kësaj lufte brutale dhe për të garantuar një armëpushim të përhershëm”, thuhet në letër.

Kritikat janë shtuar edhe brenda vetë shoqërisë izraelite dhe diasporës hebraike, ndërsa organizata si B’Tselem dhe Physicians for Human Rights Israel e kanë cilësuar për herë të parë politikën izraelite në Gaza si “gjenocidale”.

Ndërkohë, edhe Lëvizja Reformiste, denominacioni më i madh hebre në SHBA, e ka quajtur qeverinë izraelite “bashkëfajtore” për urinë në Gaza, duke theksuar se bllokimi i ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë është “i pafalshëm, sidomos për fëmijët”.

Leave a Reply