Shkarkohet nga detyra prokurorja e Tiranës, Eranda Laze

Prokurorja e Tiranës, Eranda Laze, është shkarkuar nga detyra pas vendimit përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), i cili u shpall këtë të martë, më 29 korrik në Tiranë.

Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankimit të bërë nga Komisioneri Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili më herët e kishte konfirmuar në detyrë prokuroren.

Trupi gjykues i KPA-së që mori vendimin ishte i përbërë nga Ina Rama (kryesuese), Sokol Çomo (relator), si dhe Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj (anëtare). Në përfundim ata vendosën unanimisht të ndryshojnë vendimin e mëparshëm të KPK-së, duke sanksionuar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të prokurores Laze.

“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja ‘b’ të ligjit nr. 84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, në mënyrë unanime, vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 811, datë 08.11.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Eranda Laze.”– thuhet në komunikatën për media të KPA-së.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm, duke mbyllur përfundimisht procesin e rivlerësimit për këtë subjekt.

Shkarkimi i Lazes vjen në kuadër të procesit të vetingut, pjesë e reformës në drejtësi, që ka për qëllim pastrimin dhe ristrukturimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vend, përmes rivlerësimit të figurës, pasurisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve të drejtësisë.

Leave a Reply