SHBA / Katër të vdekur nga të shtënat në një bar, autori i armatosur në arrati

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një incidenti me armë zjarri të ndodhur mëngjesin e së premtes në një bar në qytetin Anaconda të shtetit amerikan Montana.

Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ka ndodhur në ambientet e “The Owl Bar”, ndërsa autori i dyshuar është identifikuar si Michael Brown, 45 vjeç, banor i lagjes ku ndodhet lokali. Ai është shpallur në kërkim dhe konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Policia ka kërkuar nga qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes.

Dëshmitarë dhe të afërm të autorit kanë pohuar për mediat lokale se Brown është veteran i ushtrisë amerikane dhe ka vuajtur prej kohësh nga probleme të patrajtuara të shëndetit mendor. Sipas një të afërmi të tij, ai nuk ka marrë kujdesin e duhur në momentin e ngjarjes.

Policia e Krimeve të Rënda të Montanës, e cila po udhëheq hetimet, konfirmoi se katër persona kanë ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, njësia speciale SWAT ka ndërhyrë dhe ka evakuuar banesën e autorit, e cila ndodhet pranë lokalit ku ndodhi ngjarja.

Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa emrat e viktimave nuk janë bërë publikë. Forcat e rendit janë ende në ndjekje të autorit, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht.

Leave a Reply