Ish kryeministri Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë përpara Prokurorisë së Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” i akuzuar për aferën e dyshuar korruptive “Partizani”.
Pasi qëndroi pak minuta brenda ambjenteve të SPAK, lideri i demokratëve firmosi duke lënë një shënim dhe në dalje dha një deklaratë për mediat ku nuk kurseu akuzat për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.
Në vijim Berisha sërish foli edhe per kryebashkiakun Erion Veliaj i cili prej muajsh ndodhet në qeli. Sipas tij, Veliajt i janë shkelur një serë të drejtash, duke vlerësuar edhe raportin e avokatit të popullit.
“MPër Erion Veliajn, çështja është siç e patë ju, dëshmitarët njëri pas tjetrit, pasi kanë kaluar në zyrën e Ramës, nuk e di, por kjo të provojë, ta hetojnë, kanë bërë dëshmira, të cilat faktojnë për mua, faktojnë të vërtetën e vjedhjeve të tmerrshme që kanë bërë. Megjithatë çdo njeri i padënuar dhe dënuar, ka një paketë të drejtash të cilët duhet të respektohen. Me Erion Veliajn janë sjellë në mënyrën më të papranueshme.”
I pyetur për 21 janarin ku para pak ditësh Altin Dumani tha se është një çështjet prioritare, Berisha shtoi se do të paraqitet sa herë t’a thërrasin.
Në fund kreu i PD nuk kurseu as akuzat për gjyqtaren Irena Gjoka ku e akuzoi sërish se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.


