Teksas/ Demokratët arratisen nga parlamenti, urdhri për arrestimin e tyre dhe ndërhyrja e Schwarzenegger

Dhjetëra ligjvënës demokratë të Teksasit, rreth 57 sipas një vlerësimi, janë larguar nga shteti të dielën e kaluar, duke u strehuar në Illinois, Boston dhe Albany të shtetit të Nju Jorkut për dy javët e ardhshme, me qëllim bllokimin e një plani të mbështetur nga Trump që synon ruajtjen e shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve për dy vitet e fundit të mandatit të tij, përmes ridizajnimit të hartës së zonave elektorale.

Kjo është pjesë e një beteje më të gjerë në nivel kombëtar, për zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit. Zakonisht, partia që fiton zgjedhjet presidenciale humbet në të paktën njërën nga dhomat e Kongresit, dhe në nëntor 2026 republikanët kanë frikë për kontrollin e Dhomës, ku aktualisht kanë një shumicë shumë të ngushtë. Për të shmangur humbjen dhe bllokimin e programit të tij, Donald Trump ka kërkuar nga guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, të ripërcaktojë hartën elektorale në mënyrë që republikanët të sigurojnë edhe pesë vende të tjera (aktualisht kontrollojnë 25 nga 38 vendet e shtetit). Plani synon ndryshimin e kufijve të zonave elektorale në Houston, Dallas, Austin dhe disa zona pranë kufirit me Meksikën, që aktualisht janë në dorë të demokratëve.

Abbott thirri një seancë të posaçme legjislative për të miratuar ndryshimet. Për ta penguar këtë, duke mos siguruar kuorumin e nevojshëm prej dy të tretash, deputetët demokratë u larguan nga shteti duke bojkotuar seancën.
Ata rrezikojnë një gjobë prej 500 dollarësh në ditë për mungesën, dhe veprimi i tyre mund të mos pëlqehet nga disa prej votuesve të tyre, pasi mungesa pengon miratimin e ligjeve për përballimin e përmbytjeve të fundit.

Guvernatori deklaroi se do të kërkonte largimin e deputetëve nëse nuk ktheheshin deri në orën 15:00 të ditës së djeshme, duke theksuar se ata po kryejnë “një krim” nëse përpiqen të mbledhin fonde për të paguar gjobat. “Demokratët e Teksasit,- tha ai,- kanë dështuar në detyrën e tyre. Duke lënë shtetin, po pengojnë miratimin e një ligji kyç për ndihmën ndaj viktimave të përmbytjeve dhe masa të rëndësishme fiskale.”

Dhoma e Teksasit votoi me 85 pro dhe 6 kundër për të kërkuar arrestimin e demokratëve në arrati. Abbott i urdhëroi forcat e rendit të “gjejnë, ndalojnë dhe sjellin në sallën e parlamentit të gjithë ata që kanë braktisur detyrën ndaj qytetarëve të Teksasit”.

Megjithatë, kjo kërkesë është kryesisht simbolike,thekson Texas Tribune, pasi urdhri i arrestit është i zbatueshëm vetëm brenda kufijve të shtetit. Demokratët kishin planifikuar të qëndronin jashtë shtetit për dy javë, deri në përfundimin e sesionit të posaçëm legjislativ.

Kjo është një përplasje e paprecedentë në nivel kombëtar, ku edhe në shtete të tjera “të kuqe” si Ohio, Indiana dhe Missouri, republikanët po shqyrtojnë ndryshime në hartat elektorale në favor të tyre (gerrymandering), duke shkaktuar reagimin e guvernatorëve të shteteve “blu” si Kalifornia, Illinois, Nju Jork dhe Nju Xhersi, të cilët po kërcënojnë me masa të ngjashme (edhe pse me mundësi më të kufizuara).

“Ky nuk është një blof”, tha guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom të premten, duke e cilësuar këtë si një betejë “ekzistenciale” pas takimit me disa nga deputetët “në azil” të Teksasit.

Edhe guvernatori i Illinois, JB Pritzker, deklaroi se “çdo mundësi është në tavolinë”, në varësi të veprimeve të Teksasit. Të dy guvernatorët përfliten si kandidatë të mundshëm për nominimin demokrat për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.

Megjithatë, për shtetet demokrate është më e vështirë politikisht dhe praktikisht të ridizajnojnë hartat e tyre në të njëjtën mënyrë si Teksasi. Në Kaliforni, hartat elektorale përgatiten nga një komision i pavarur, pas një referendumi në vitin 2010 që kërkoi largimin e politikës nga ky proces.

Në Illinois, harta ekzistuese është kritikuar shpesh si e favorshme për demokratët. Newsom gjithsesi ka sugjeruar një referendum të ri që mund të lejonte ndryshime përpara zgjedhjeve të mesmandatit në 2026.

“Duhet t’i përgjigjemi zjarrit me zjarr”, tha guvernatori.

Ish-guvernatori republikan i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, doli kundër qëndrimit të Newsom, duke u shprehur i gatshëm të bëjë fushatë kundër çdo përpjekjeje për “gerrymandering” në shtetin e tij.

“Ai beson se ridizajnimi i zonave elektorale është një gjë e keqe,- tha zëdhënësi i aktorit, Daniel Ketchell,- ai është kundër asaj që po bën Teksasi dhe mendon se është gabim që Kalifornia të ndjekë të njëjtën rrugë”./tvklan.al

Leave a Reply