Japonia ka regjistruar dy rekorde të reja të temperaturave më të larta ndonjëherë brenda një dite, teksa vala përvëluese e të nxehtit po përfshin vendin. Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, temperaturat arritën fillimisht në 41.6°C, për t’u rritur më pas në 41.8°C, duke vendosur një rekord të ri historik për vendin.
Temperaturat ekstreme u shënuan të martën në qytetin Isesaki, që ndodhet në prefekturën Gunma në pjesën veriore të rajonit Kanto. Këto vlera e tejkalojnë ndjeshëm rekordin e mëparshëm prej 41.2°C, i cili ishte regjistruar vetëm javën e kaluar në prefekturën Hyogo, në perëndim të Japonisë.
Përpara kësaj vale të fundit të të nxehtit, rekordi më i lartë ishte 41.1°C, i shënuar më parë në vitet 2020 dhe 2018.
Agjencia Meteorologjike ka bërë të ditur gjithashtu se muaji i kaluar ka qenë më i nxehti që prej fillimit të matjeve në vitin 1898. Temperatura mesatare mujore ishte 2.89°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020.
Edhe qyteti turistik i Kyotos është prekur nga vala përvëluese. Javën e kaluar, temperaturat atje arritën në 40°C, për herë të parë që ndonjë prej pikave të matjes – nga më e vjetra që daton në vitin 1880, deri tek më e reja e hapur në 2002 – ka regjistruar një vlerë të tillë.
Për shkak të të nxehtit ekstrem, janë lëshuar alarme për goditje nga të nxehtit (heatstroke) në 44 nga 47 prefekturat e Japonisë, duke vënë autoritetet dhe shërbimet shëndetësore në gatishmëri të lartë.
Vera e vitit të kaluar ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në vend, duke barazuar rekordin e vitit 2023, ndërsa pas saj pasoi edhe vjeshta më e ngrohtë në 126 vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në ekosistemin dhe fenomene të tjera natyrore në Japoni. Ndër to, lulëzimi i parakohshëm i pemëve të qershisë, simbol i pranverës në vend, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, ndërsa në disa raste nuk lulëzojnë plotësisht për shkak të mungesës së temperaturave të ulëta në vjeshtë dhe dimër.
Gjithashtu, kapaku i borës në malin Fuji, një tjetër simbol kombëtar, vitin e kaluar nuk u shfaq deri në fillim të nëntorit – periudha më e vonë e regjistruar ndonjëherë – krahasuar me mesataren shumëvjeçare të fillimit të tetorit.
Japonia, si pjesë e një planeti që po përballet me pasoja të rënda nga ndryshimet klimatike, nuk po i shpëton më fenomeneve ekstreme të motit dhe temperaturave rekord që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rrezikshme.


