Departamenti Amerikan i Shëndetësisë planifikon të pezullojë financimin prej 500 milionë dollarësh për kërkimin e vaksinave mRNA.
Ky financim, që mbështeste 22 projekte nga kompani farmaceutike të mëdha, përfshirë Pfizer dhe Moderna, kishte si qëllim zhvillimin e vaksinave kundër viruseve të frymëmarrjes si gripi dhe COVID-19.
Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., pohoi se vaksinat mRNA paraqesin rrezik, sidomos në parandalimin e infeksioneve të frymëmarrjes, si gripi.
Ai argumenton se këto vaksina mund të kontribuojnë në mutacionin e viruseve dhe kështu të zgjasin pandemitë, duke inkurajuar krijimin e varianteve të reja që mund të shmangin mbrojtjen e ofruar nga vaksinat.
Sipas tij, financimi do të kalojë në mbështetje të platformave të tjera vaksinale që janë më të sigurta.
Megjithatë, shumë ekspertë shëndetësorë janë kundër këtij qëndrimi të Kennedy.
Ekspertët theksojnë se viruseve u ndodhin mutacione pavarësisht nga përpjekjet e vaksinimit.
Sipas tyre, vaksinat mRNA janë jashtëzakonisht të sigurta dhe paralajmërojnë se ky veprim mund ta lërë SHBA-në më pak të përgatitur për të përballuar pandemitë e ardhshme.
Disa e shohin këtë si një lëvizje të rrezikshme, duke marrë parasysh suksesin e vaksinave mRNA gjatë pandemisë së COVID-19, të cilat shpëtuan miliona jetë dhe ishin kyçe në reagimin global të shpejtë./Klan News/


