Letra e 100 organizatave humanitare: Izraeli s’po na lë të çojmë ndihmat në Gaza

Mbi 100 organizata kanë nënshkruar një letër të përbashkët ku i kërkojnë Izraelit të ndalojë “shfrytëzimin si armë të ndihmës” në Gaza.

Grupet humanitare, mes të cilave përmendim Oxfam dhe Médecins Sans Frontières (MSF), thonë se po u thuhet gjithnjë e më shumë se “nuk janë të autorizuar” për të ofruar ndihma, përveçse nëse i përmbahen rregulloreve më të rrepta izraelite.

Në letren e tyre, këto grupe shprehen se rrezikojnë të ndalohen nëse “delegjitimojnë” shtetin e Izraelit ose nuk japin informacion të detajuar në lidhje me stafin palestinez.

Sipas letrës së përbashkët, shumica e organizatave të mëdha ndërkombëtare joqeveritare nuk kanë arritur të dërgojnë asnjë kamion me furnizime jetike që nga 2 marsi. Ata thonë se autoritetet izraelite “kanë refuzuar kërkesa nga dhjetëra organizata për të sjellë mallra jetike”, duke u justifikuar me rregullat e reja. Vetëm në korrik janë refuzuar mbi 60 kërkesa.

Pamundësia e grupeve të ndihmës për të dorëzuar ndihma ka “lënë spitale pa furnizime bazë, fëmijë, persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar që po vdesin nga uria dhe sëmundjet e parandalueshme”.

Sean Carroll, CEO i American Near East Refugee Aid (Anera), tha: “Anera ka mbi 7 milionë dollarë ndihma jetike gati për të hyrë në Gaza, duke përfshirë 744 ton oriz, mjaftueshëm për gjashtë milionë vakte, të bllokuara në Ashdod vetëm disa kilometra larg”.

Leave a Reply