Presidenti kinez Xi Jinping do të presë homologun e tij rus Vladimir Putin, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe më shumë se 20 krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish këtë muaj për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, tha të hënën Pekini.
Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) do të mbahet në qytetin e Tianjin më 31 gusht dhe 1 shtator.
SCO përbëhet nga 10 vende, përfshirë Kinën, Rusinë, Iranin, Indinë, Pakistanin dhe vendet e Azisë Qendrore.
Synon të kundërshtojë organizatat perëndimore dhe të forcojë bashkëpunimin midis vendeve anëtare në fusha të tilla si politika, siguria, lufta kundër terrorizmit dhe tregtia.
Më shumë se 20 udhëheqës të huaj, përfshirë kryeministrin indian Narendra Modi dhe presidentin rus Vladimir Putin, do të marrin pjesë në samit, më i rëndësishmi që nga themelimi i SCO-së, u tha gazetarëve sot zëvendësministri i Jashtëm kinez Liu Bin.
Pritet që të marrin pjesë edhe udhëheqës të tjerë, përfshirë presidentin iranian Masoud Peskov, presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.
Xi do të mbajë një fjalim në samit, ku marrin pjesë edhe krerët e organizatave ndërkombëtare si Guterres.
Kina shpreson që samiti do të “rrisë vrullin e bashkëpunimit” dhe “do t’i ndihmojë vendet të përballen me pasiguritë e situatës ndërkombëtare me stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e SCO-së” dhe “do të krijojë një mjedis të favorshëm për paqe të qëndrueshme”, tha Liu Bin.
“Në botën e sotme, mentalitetet e vjetra të hegjemonisë dhe politikat e më të fortit ende mbizotërojnë. Disa vende po përpiqen të vënë interesat e tyre mbi ato të të tjerëve, gjë që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin botëror”, tha ai në një referencë të qartë për Shtetet e Bashkuara.
“Sa më e ndërlikuar dhe e trazuar të bëhet situata ndërkombëtare, aq më shumë vendet duhet të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin e tyre për të promovuar zhvillimin e përbashkët”, përfundoi Liu Bin.


