Protestat, Vuçiç përgjigjet me ulje çmimesh

Këtë të diel, presidenti Vuçiç zgjodhi t’u përgjigjej atyre që synojnë ta largojnë nga pushteti i gjatë, me uljen e çmimeve me 20 për qind për pothuajse 3,000 produkte, duke nisur nga buka, detergjentët, drutë e zjarrit dhe energjia elektrike.

Një konferencë e pazakontë për shtyp, ku kreu i shtetit serb u shfaq i rrethuar nga shporta me produktet që do të blihen më lirë nga konsumatorët, dhe më pas ai shpjegoi në dërrasë të zezë me shkumës përfitimet për popullin.

Ai premtoi kontrolle të tregut, përmes të gjitha inspektimeve financiare dhe tatimore, për të garantuar zbatimin real të çmimeve të reja. Presidenti serb tha se ndëshkimet për tregtarët do të jenë jashtëzakonisht të rrepta nëse çmimet e reja nuk zbatohen.

Pasi përfundoi paraqitjen e kësaj tabloje optimiste për xhepat e qytetarëve serbë, Vuçiç tha se ishte gati të shkëmbente pikëpamje me përfaqësuesit më të rëndësishëm të protestuesve.

Dialogu, sipas tij, nuk ka alternativë, duke shtuar se ata që protestojnë nuk kanë program dhe as alternativë politike.

Leave a Reply