Venezuela kundër SHBA: 11 të vrarët nuk ishin anëtarë bandash, ishte vrasje e pastër

Tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit janë përshkallëzuar pas incidentit të ndodhur javën e kaluar në Karaibe, ku një anije u qëllua nga ushtria amerikane, duke lënë të vrarë 11 persona.

Autoritetet amerikane pretenduan se mjeti transportonte drogë dhe se pasagjerët ishin pjesëtarë të bandës famëkeqe venezueliane Tren de Aragua. Por qeveria e Venezuelës ka hedhur poshtë këto akuza, duke e cilësuar sulmin si “vrasje të qëllimshme ndaj civilëve”.

Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, tha në një deklaratë televizive: “Ata pranuan hapur se vranë 11 njerëz. Ne kemi kryer hetimet tona dhe asnjëri prej tyre nuk ishte nga Tren de Aragua, as trafikantë droge. Ishin qytetarë të zhdukur që i kërkojnë familjet e tyre. Është kryer një vrasje duke përdorur forcë vdekjeprurëse”.

Cabello vuri në dyshim mënyrën sesi SHBA arriti të identifikojë personat: “Si i përcaktuan ata se ishin anëtarë të Tren de Aragua? Kishin ndonjë çip? Apo ndonjë kod QR që ushtria amerikane e lexoi nga qielli, në errësirë?”, ironizoi ai.

Sipas mediave amerikane, gjatë një raportimi të mbyllur në Kongres, zyrtarë të sigurisë kombëtare kanë pranuar se ushtria amerikane e qëlloi mjetin disa herë pasi ky kishte ndryshuar drejtim dhe po kthehej drejt bregut. Kjo ka ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e veprimit dhe përdorimin e ushtrisë për operacione që i përkasin rendit publik.

Një grup prej mbi 20 senatorësh demokratë, përfshirë Tim Kaine, i dërguan një letër Shtëpisë së Bardhë duke thënë se administrata Trump nuk ka ofruar “asnjë justifikim ligjor legjitim” për sulmin. Kryetari demokrat i Komisionit të Forcave të Armatosura, Jack Reed, e kritikoi ashpër veprimin: “Forcat tona të armatosura nuk janë agjenci ligjzbatuese. Nuk kanë të drejtë të gjuajnë e të vrasin të dyshuar pa gjyq. Nuk kemi asnjë provë se anija po transportonte drogë, apo se pasagjerët ishin pjesë e ndonjë karteli”.

Edhe senatori republikan Rand Paul ngriti dyshime, duke thënë se ishte e pamundur që një mjet i tillë të synonte brigjet amerikane: “SHBA nuk mund të vrasë njerëz thjesht pse dyshohen për diçka, pa u dhënë proces të rregullt ligjor”.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë këmbënguli në qëndrimin e saj. Zëdhënësja Anna Kelly tha se “këta ishin narco-terroristë të Tren de Aragua që donin të sillnin drogë dhe të vrisnin amerikanë”, ndërsa theksoi se presidenti Trump kishte vepruar “në përputhje me ligjet e konfliktit të armatosur”. Pentagon shtoi se kartelët e drogës nuk do të kenë “asnjë strehë të sigurt” dhe paralajmëroi goditje të tjera.

Nga ana tjetër, presidenti Nicolás Maduro reagoi duke shpallur gatishmëri ushtarake në 284 pika mbrojtjeje përgjatë gjithë territorit. “Jemi gati për një luftë të armatosur, nëse do të jetë e nevojshme. Nga veriu në jug e nga lindja në perëndim, ushtria jonë është e përgatitur,” tha ai në një fjalim televiziv, i rrethuar nga drejtuesit e forcave të sigurisë.

Ky incident ndodh në një kohë kur SHBA ka dyfishuar shpërblimin për arrestimin e Maduros në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar për trafik droge dhe lidhje me grupe kriminale. Maduro i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke insistuar se Venezuela nuk është prodhues i drogës dhe se bëhet fjalë për një fushatë politike nga Uashingtoni.

Leave a Reply