Rusia dhe Bjellorusia filluan stërvitje të përbashkëta ushtarake në kufijtë e NATO-s të premten, duke përshkallëzuar tensionet me Perëndimin, dy ditë pasi Polonia rrëzoi dronë rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore.
Stërvitja e përbashkët ushtarake “Zapad-2025”, e cila po mbahet në bazat ushtarake në të dy vendet, përfshin gjithashtu zona pranë kufirit polak.
Stërvitja ishte planifikuar para incidentit me dron, i cili është rasti i parë i njohur në të cilin një anëtar i NATO-s është detyruar të “godasë” objektivat ruse gjatë luftës 3.5-vjeçare.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se në fazën e parë të stërvitjes, trupat do të simulojnë sprapsjen e një sulmi ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në fazën e dytë, stërvitja do të përqendrohet në rivendosjen e integritetit territorial dhe në eliminimin e armikut, tha Ministria e Mbrojtjes.
Stërvitjet që do të mbahen përfshijnë ushtrime në të dy vendet dhe në Detet Baltik dhe Barents.
Bjellorusia kufizohet me tre anëtarë të NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, dhe gjithashtu kufizohet me Ukrainën.
Kryeministri polak Donald Tusk, para incidentit me dronë, i kishte quajtur stërvitjet mes Rusisë dhe Bjellorusisë “shumë agresive” dhe kishte njoftuar se Polonia do të mbyllte kufirin e saj me Bjellorusinë në mesnatën e së enjtes.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Polonisë, Czeszary Tomczyk , tha se Polonia ishte përgatitur prej muajsh dhe po zhvillonte stërvitjet e veta të koduara “Mbrojtësi i Hekurt “, me 30,000 ushtarë që merrnin pjesë në stërvitje dhe rreth 5,000 në kufirin me Bjellorusinë.
Lituania ka thënë gjithashtu se po mbron kufijtë e saj për shkak të stërvitjes ushtarake.
Gjenerali Pavel Muraveyko, shefi i Shtabit të Përgjithshëm në Bjellorusi, tha se stërvitjet do të zhvillohen në një “distancë të konsiderueshme” nga kufijtë me shtetet e NATO-s dhe Ukrainën.
Stërvitja e përbashkët, Zapad , u zhvillua në shtator 2021, pesë muaj para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili filloi pjesërisht nga territori bjellorus. Udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko, një aleat i ngushtë i presidentit rus, e ka mbështetur Putinin gjatë gjithë luftës, por nuk ka dërguar asnjë trupë të vetën.
Që nga fillimi i konfliktit, Bjellorusia i ka lejuar Rusisë të stacionojë rregullisht raketa bërthamore në territorin e saj dhe po përgatitet të presë raketën e re hipersonike Oreshnik të Moskës.
Lukashenko, megjithatë, po përpiqet të riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas viteve të sanksioneve.


