“Europa nuk duhet të puthë më unazën e Washingtonit”, Sachs shpërthen ndaj Trump: Ai i urren të gjithë!

Shkrim i La Repubblica

Ish-këshilltari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ekonomisti i njohur Jeffrey Sachs, analizon fjalimin e djeshëm, 23 shtator, të Presidentit amerikan Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe paralajmëron rreziqet për rendin ndërkombëtar.

“Bota duhet të ndalë së gënjyeri veten, Trump po nxjerr SHBA-të jashtë rendit ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Komuniteti global duhet të bashkohet për ta mbajtur këtë rend në jetë, edhe pa Amerikën”, është thirrja e Sachs.

“Një turp i madh për SHBA-të”

Sachs e përshkruan fjalimin e Trump si “një turp i madh për SHBA-të, plot gënjeshtra dhe delire”, duke shtuar se ky fjalim në fakt, reflekton plotësisht mënyrën se si presidenti amerikan e sheh botën.

Ekonomisti amerikan, Jeffrey Sachs

“Ai është i papërgjegjshëm dhe i korruptuar. Nuk di asgjë për ndryshimet klimatike dhe sistemet energjetike. Fjalët e tij janë të rreme dhe financohen nga industria e naftës”, thotë ekonomisti.

Sipas tij, Trump mbështetet në retorikë nacionaliste dhe raciste.

“Problemi i emigracionit është real, por Trump e përdor atë për të poshtëruar dinjitetin e njerëzve. Ky është degradimi i politikës amerikane”, shtoi ai në intervistë.

Sa për raportin e tij me liderët e Europës, thotë se “Trump i urren të gjithë. Nuk ka miq për të, vetëm vasalë që i puthin unazën”.

Europa dhe Amerika

Sachs paralajmëron Evropën.

“Duhet të marrë vendimin më të rëndësishëm, të vazhdojë të kërkojë bekimin Shtëpisë së Bardhë që e urren, apo të udhëheqë një alternativë.”

Ai kritikon politikën e vazhdueshme të kompromiseve me SHBA-të dhe e konsideron“patetike”, duke thënë se Europa duhet të veprojë edhe pa Amerikën.

Duke u ndalur te lufta në Gaza, ekonomisti shprehet ashpër duke e quajtur Trump “kriminel lufte dhe bashkëfajtor në gjenocid”.

Për luftën në Ukrainë thekson se do të përfundojë kur NATO të jetë totalisht e qartë në qasjen e saj, për praninë ushtarake në Kiev.

Sachs thekson se SHBA-të nuk mund të shkatërrojë OKB-në.

“SHBA përbën vetëm 4,1% të popullsisë botërore dhe rreth 14% të PBB-së globale. Organizata mbetet thelbësore dhe duhet të vazhdojë punën edhe pa Washingtonin.”

“Bota dhe veçanërisht Europa duhet ta kuptojnë këtë dhe të përgatiten. Nuk ka më vend për përkulje të vazhdueshme ndaj Shtëpisë së Bardhë, është koha për të ndryshuar kursin“, përfundon ekonomisti.

Leave a Reply