Rreth disa akrobacive të ndyra të Shaqir Fetait, i cili, ka ndërmarrur një “fushatë” nëpër xhemate me qëllim që ta rehabilitojë tinëzisht veten dhe, për këtë qëllim, “në ndihmë” ta thërrasë edhe viktimën e tij, teologun e mirënjohur shqiptar, Prof. Nexhat Ibrahimin
Nga Mahir Rexhepi
“E ka demantuar vetë Nexhat Ibrahimi”, “Kurrë nuk kam qenë spiun, këtë e dëshmon edhe Nexhat Ibrahimi”, këto janë fjalitë që kohëve të fundit me të madhe po mundohet t’i bluajë ndër pak ndeja që i organizon Shaqir Fetai sa për ta thyer monotoninë e vetmisë që po e ngulfat ditë e më shumë.
Pak ditë pasi doli në opinion një dokument origjinal nga shërbimet sekrete serbe (17.10.2020), që kishte të bëjë me vërtetimin se Shaqir Fetai ka qenë bashkëpunëtorë i UDB-së, nxënës i oficerit serb Stanko Dragoviqit, te i cili tërë kohës kishte spiunuar Nexhat Ibrahimin si dhe teologun tjetër nga Tetova, Ramiz Alinë, do të publikohet edhe një letër zhgënjyese dhe dëshpëruese e Nexhat Ibrahimit, i cili, i shokuar nga ai dokument, me keqardhjen më të thellë, thjesht, shprehet se nuk është ai që e ka lëshuar atë dokument.
Dhe, këtë fjali ia keqpërdor Shaqir Fetai duke thënë se, ja, dokumenti është fallc, “nuk e ka lëshuar Nexhat Ibrahimi”!
Po çka paska menduar Shaqir Fetai se, dokumente të tilla lëshon Nexhat Ibrahimi? A mos paska mendur Shaqir Fetai se, Nexhat Ibrahimi kurrë nuk do të dyshojë te Shaqir Fetai? Meqë nuk e paska lëshuar Nexhat Ibrahimi dokumenti nuk qenka valid? Këtë e mendon Shaqir Fetai?
Mbase Shaqir Fetai ka menduar se Nexhat Ibrahimi ka bashkëpunuar me UDB-në dhe, këta, vetë, për inat të Shaqir Fetait, kanë mundur t’ia japin dokumentin Nexhat Ibahimit i cili pastaj e ka publikuar atë. Po kur u publikua ky dokument?
Shaqir Fetai, duke e pasur mizën nën kapuç, si dhe gjelin nën çallmë, nisë e flirton me njerëz kyç të BDI-së, sepse, e ndjenë që vetëm duke qenë nën sqetullën e kësaj “partie patriotike” do të mund të sigurojë paprekshmëri të personalitetit të vet të njollosur e të dyshimtë. Natyrisht, partitë asnjëherë nuk lidhen me persona pa pasur të garantuar edhe shërbimin prej robi të personit i cili e kërkon strehën partiake! Një lidhje e arritur mbi baza të interesit personal! Në këtë moment, shërbimi sekret UDB, duke ndjerë se po i rrëshqet nga duart bashkëpunëtori i hershëm, atëherë, ja që e publikon dokumentin i cili do ta kompromitojë Shaqir Fetain deri në vetëdijësimin e tij se, sigurinë personale e shpirtërore, megjithatë, e ka vetëm te UDB-ja!
Pra, nuk qenka Nexhat Ibrahimi ai që publikon dokumenta, as ai që fal, që amniston apo që demanton! Viktima nuk mund të ketë mëshirë për kriminelin i cili ka ushtruar veprime më çnjerëzore ndaj tij. Nexhat Ibrahimi, mu për spiunime të këtilla, ka derxhur burgjeve serbe, është torturuar e rrahur, është fyer e poshtëruar, me muaj e vite ka ndjerë thellë në shpirt dhembjen dhe mërzinë e familjarëve të vet dhe, kur ka dalur nga burgu, pas një kohë, nuk ka dashur të merret me atë periudhë të trishtimit, me atë kohë të cilën më tepër e ka jetuar me vdekjen se sa me jetën! Nexhat Ibrahimi në letrën e parë publike për Shaqir Fetahin thotë: “I nderuar, ka disa vite që për arsye shendetesore jam terheq krejtesisht nga jeta publike, e ka rreth nje vit qe nuk kam asnje qasje ne rrjete sociale. Madje, skam as telefon, vetem e vetem qe te jam i qete e te merrem me vetveten dhe hallet e mia. Ka nje kohe te gjate qe kam reduktuar ne rreth te ngushte edhe pritjen e miqve, kolegeve, farefisit etj. E gjithe kjo qe ta mbroj veten nga shqetesimet. Pra, pranoni pershendetjet e mia dhe vazhdoni te jetoni rehat.”
Koha jo vetëm që shëron gjithçka por edhe ta kthjellë mendjen! Pas një kohe, pas reflektimit të thellë, pas rregullimit të mozaikut, duke i sjellë nëpër kohë ngjarjet, ndodhitë, bisedat, rrëfimet, Nexhat Ibrahimit i kthjellet kujtesa dhe, në letrën e dytë, ia thotë troç Shaqir Fetait: “Shaqo, mos harro, megjithatë ti ke qenë spiun i UDB-së”! Nexhati niset në këtë konstatim nga bisedat që mund t’i ketë zhvilluar vetëm me Shaqir Fetain e të cilat ia kanë përmendur gjatë torturimit nëpër birucet e burgjeve serbe, niset nga ndonjë detal të cilën mund ta ketë ditur vetëm Shaqir Fetai. E kthen filmin e torturave dhe, Nexhat Ibrahimit i kujtohet gjithçka. Madje ai është i bindur se ky spiunim është produkt i ndonjë rrjedhje gjenetike në familjen e Shaqir Fetait dhe, shton se, një ditë, nga ky veprim prej spiuni do të turpërohet edhe vetë Çegrani.
Krej në fund, tërë këtë storie të jetës prej spiuni të Shaqir Fetait, e vërtetoi edhe njëri prej udbashëve më të njohur shqiptar, Nafi Çegrani, i cili, publikisht, në një televizor kosvar, e theksoi edhe pseudonimin e Shaqir Fetait si spiun i UDB-së të cilën e paskësh pasur “ORAO” (Shqiponja)!
Shaqir Fetai tani është në ofensivë për ta “demantuar” nëpër ndeja ekzistimin e një dokumenti të tillë që flet për periudhën e tij si spiun i UDB-së. Po pse tani? Sepse tani nuk është në pushtet Partia (BDI) e cila e solli në krye të BFI-së dhe e cila ia priste mizat e mickonjat! Tani, nuk e ka këtë mburojë por e ka dëshirën e flaktë për të qëndruar edhe më tej në krye të BFI-së, jo si njeri i UDB-së por i BDI-së? Mbase tashmë edhe e ka aktivizuar “motorikën” e vet prej udbashi prandaj edhe mundohet ta fshehë këtë fakt. Mbase edhe e ka riaktivizuar të qenurit e vet në shërbim të UDB-së me garanca se nuk do ta zbresin nga BFI!
Qëndrimi i më tejmë i Shaqir Fetait në krye të BFI-së është dëm i shumëfishtë, si për BDI-në, si për BFI-në, si për pushtetin aktual! Shaqir Fetai me këtë bagazh nga historia e tij prej spiuni nuk e ka vendin as në xhami e jo më në krye të BFI-së. Ai edhe më tej po insiston që të ngelë traditë që “në krye të BFI-së të vijë njeriu për të cilin do të përcaktohet UDB-a e jo ULEMAJA”! E rëndë kjo, sidomos për hoxhallarët e RMV-së, nëse janë diku!