Nëse në Maqedoninë e Veriut shërbimet antiislame ndihmojnë çdo dukuri që do të fuste destabilizim dhe përçarje brendashqiptare, do të jetë detyrë kombëtare e organeve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës të jenë më vigjilentë ndaj këtyre synimeve që drejtohen nga “fryma myslimane” e çeçenëve putinianë
Shkruan: Ilir Topi
Ish-Reisul ulema i BFI-së, H. Sulejman Rexhepi, i cili, dy vite më vonë pasi u dekorua nga Presidenti Shqiptar me urdhërin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, do të rrënohet nga froni i Kryetarit të BFI-së, veç tejrash, do të kujtohet edhe si luftëtar i denjë kundër “fesë” së ideologjiozuar, të cilën mundoheshin ta shtrijnë në tërë rajonin të ashtuquajturit “vahabi”! Të tillët ai gjithnjë i sulmonte dhe i quante si vegla të pushtetit si dhe të shërbimeve që nuk ia duan të mirën as fesë islame tradicionale por as shqiptarëve myslimanë! Aty ku nuk kishte “forcë”, apo aty ku “ekstremistët” ishin më shumë të përqëndruar dhe më shumë të radikalizuar, efendi Rexhepi kërkonte publikisht që të intervenojë policia e shtetit dhe, t’ia rikthejë Bashkësisë Fetare Islame xhamitë e uzurpuara, dhe të dëshmojnë se nuk po e përdorin këtë segment radikal për ta destabilizuar Institucionin e vetëm islam në Maqedoninë e Veriut.
Sulejman Rexhepi kishte provuar edhe që t’i fusë në sistem, në një farë forme t’i “institucionalizojë”, por shumë shpejt i hetoi se janë të papërmirësueshëm, se janë keqpërdorues të organeve dhe institucioneve të BFI-së në realizim të interesave të huaja dhe të vetë atyre. Ishte një grup ekstemistësh shumë i radikalizuar në raport me BFI-në, respektivisht, tepër “besnikë” ndaj punëdhënësve të tyre! Këta assesi nuk pranonin që të veprojnë sipas strategjisë së efendi Rexhepit dhe nën ombrellën e BFI-së! Një prej më të rrezikshmëve Rexhepi e konsideronte “hoxhën”, kumanovar, Sadulla Bajrami, të cilin e patë sulmuar duke e quajtur edhe “satanë”! Këtë grup si dhe “Forumin Rinor Islam”, Sulejman Rexhepi i quante si “vegla të shërbimeve sekrete të UDB-së”!
Xhamia e parë private në Maqedoninë e Veriut
Në prag të muajit Ramazan, Sadulla Bajrami u bë “hoxha” i parë në rajon që arriti të ndërtojë xhami të veten! Me qëllim që mos të përhapet dukuria e ndërtimit të xhamive për secilin hoxhë, por që xhamitë të jenë pronë e një subjekti juridik, shtetit maqedonas iu kujtua që t’ia regjistrojë një “bashkësi fetare islame”, ndonëse ligji është kategorik: nuk mund të ekzistojnë dy e më shumë bashkësi të cilët për fe, për Libër të shenjtë dhe burimet financiare i kanë të njëjtë! Kjo iu mundësua Sadulla Bajramit i cili sot e ka të regjistruar një “bashkësi” me fjalë shqipe por me alfabet maqedonas “БАШКСИА Е ЕХЛИ СУНЕТИТ Е ЏЕМАТИТ – КУМАНОВО” (Bashkësia e Ehli Sunetit dhe Xhematit – Kumanovë)! Ç’është e vërteta, për t’i ikur përgjegjësisë ligjore, gjykata nuk e regjistron si bashkësi fetare (si komunitet fetar) por si grup religjioz! Kjo nuk i pengon aspak Sadulla Bajramit, ose mbase ai nuk di të bëj dallimin në mes të fesë dhe religjionit! Nuk i intereson, sepse, ai aktivitetin e vet duhet ta zhvillojë institucionalisht, të nisë të ndërtojë objekte fetare (xhami) për “religjionin” e vet si dhe të hapë sa më shumë filiale të “qendrës” e cila e dirigjon dhe i ndihmon që të shtrihet sa më gjërësisht!
Kohë më parë, Sadulla Bajrami ka përuruar xhaminë e parë të religjionit të vet, aktivitet këtë që e legalizoi edhe bashkësia “fetare” e Shaqir Fetait, “reisit” aktual i cili u soll në këtë post nga koniukturat politike maqedonase e që, paraprakisht, shërbimet sekrete të tradhëtuara prej tij ia publikuan një faqe nga dosja e tij policore që paraqiste raportimin e tij nën nofkën “ORAO” (Shqiponja) tek oficerët e UDB-së kundër studentëve shqiptarë që atëbotë studionin në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, ku po “studionte” edhe Shaqir Fetai, dhëndri i Mulla Hasan Zendelit të Çegranit, i cili kishte qenë bashkëpunëtorë i përjetshëm i Temellko Boshkovskit, një prej udbashëve që specialitet e kishte “tredhjen e nacionalistëve shqiptarë” në Pollog!
Në ditën kur Sadulla Bajrami e përuroi xhaminë e vet, aty prezantuan edhe përfaqësues të organeve të BFI-së, prezantuan nëpunës të Shaqir Fetait, hoxhallarë të dekretuar në detyrë nga Shaqir Fetai, prezantuan shumë radikalistë që sot shtiren si përkrahës besnikë të Shaqir Fetait. Pati edhe nga ata që nuk duhen në mes vete, që urrehen, që nuk kanë kurrfarë respekti për Sadulla Bajramin porse, ja që një “urdhër misterioz” i bashkoi të gjithë në një “event”!
Koha e legalizimit të radikalizmit dhe ekstremizmit
Analistët e çështjeve islame si dhe të organizimit fetar në Maqedoninë e Veriut thonë se, ky shembull i paprecedent me gjasë shumë shpejt do të shndërrohet në një dukuri shumë të rrezikshme për shoqërinë myslimane dhe, sidomos për shqiptarët myslimanë! E këtë gjest hapet mundësia që secili “radikalist” që ka uzurpuar një xhami, apo, secili “hoxhë” që nuk i nënshtrohet akteve normative si dhe Kushtetutës së BFI-së, të veprojë krye më vete, madje rrugët i ka të hapura që të regjistrojë një grup religjioz të pavarur dhe punën, bashkë me xhematin e vet, ta vazhdojë në të njëjtën xhami, derisa të mbledhin para për një xhami vetanake! Ky është një skenar ideal i huaji për ta përçarë shoqërinë myslimane të Maqedonisë së Veriut. Veç tjerash, Bashkësia Fetare Islame nuk do të ketë të drejtë që të kërkojë mbikëqyrje dhe të vendosë mbi këto “xhami religjioze”!
Bashkësia Fetare Islame e uzurpuar nga Shaqir Fetai me honxho-bonxhot e vet po ecë në drejtim të shkatërrimit të vakëfit, të harxhimit të saj, të zhvatjës së saj, të përdorjes së saj për të korruptuar segmente të caktuar politikanësh të pushtetit. Burim financiar i kësaj Bashkësie është zhvatja e myslimanëve të vendit dhe të diasporës në emër të fesë islame, kontributet e ndryshme fetare, të cilat, realisht, kështu siç po zgjërohet pa kontrollë dhe pa strategji BFI-ja, nuk ka mundësi as për tre-katër muaj të funksionojë e pavarur.
“Bashkësitë fetare” të sojit të Sadulla Bajramit kanë finacues të fuqishëm, shumë shpejt do të bëhen me prona të veta vakufore, fare lehtë do të ndërhyjnë edhe në burimet financiare të BFI-së, dhe do ta shkatërrojnë këtë burim tradicional islam, sepse, do të formojnë xhemate të veta, të cilët, do të apelojnë që fitrin e zeqatin, kurbanët e haxhin, t’i orientojnë te “religjioni më i besueshëm” i Sadulla Bajramit! Këtë fat tragjik e ka të qartë edhe Shaqir Fetai, këtë trishtim po e ndjejnë edhe teologët e vendit porse, deri më sot, asnjë reagim prej tyre, asnjë shqetësim publik, asnjë debat mbi përpjekjet djallëzore për ta futur pykën e përçarjen në trungun fetar e kombëtar!
Nga ana tjetër, nuk është shqetësim vetëm Sadulla Bajrami! Problem edhe më i madh është kjo që ndodhi në prag të Muajit të Bekuar të Ramazanit në Myftininë e Shkupit! “Myftiu” i ardhur nga radhët e “Forumit Rinor Islam”, Qenan Ismaili, ia dorëzoi njërën prej xhamive më reprezentative “hoxhës” Omer Bajrami, njërit nga radikalistët dhe ekstremistët më të rrezikshëm në Maqedoninë e Veriut, i cili, për veprimtarinë e tij të dyshimtë ka qenë edhe i arrestuar nga policia maqedonase por që, për çudi të të gjithëve, pas disa javësh u la në liri! Pikërisht për Ramazan, atij iu nda Xhamia me dy minare e Sarajit, në të cilën tërë kohës ka mbisunduar një situatë shumë e ndjerë në mes të xhematit të Sarajit dhe kësaj Myftinie, faqa zyrtare e së cilës gëlon nga “ligjeratat fetare” dhe nga fytyrat e dyshimta radikaliste!
Këto ditë, në Çairin e shqiptarëve të Shkupit u përurua një xhami e re, e cila, nga elementët e dyshimtë më në krye “hoxhë” Sadulla Bajramin dhe myftiun e diskutueshëm të Shkupit, Qenan Ismailin, u emërtua si Xhamia e “Bujar Shabanit”! Bujar Shabani është një shkupjan që mori pjes vullnetarisht në luftën e Sirisë ku edhe u vra!
Vigjilencë më serioze nga organet gjegjëse shtetërore shqiptare
Duke e ditur se puna e këtij “religjioni të ri” që po metastazon frikshëm në mes të shqiptarëve, duke e ditur fuqinë e tyre financiare, duke e ditur trurin e tyre lehtësisht të influencuar nga shërbimet dhe ideologjitë e ndryshme që veprojnë në emër të “islamit”, në njërën anë dhe, në anën tjetër, duke e ditur se ky “poligon” (RMV-ja) gjithnjë është përdorur si testim të strategjisë kompromituese që përfshinë edhe shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, duhet pritur që shumë shpejt ky “religjion” që bartë vulën e Sadulla Bajramit, hoxhes “satanë” nga Kumanova, por të bekuar nga Shaqir Fetai dhe shërbimt prej nga dalin që të dy, të shtrihet edhe në këta dy shtete shqiptare. Andaj, nëse në Maqedoninë e Veriut shërbimet antiislame ndihmojnë çdo dukuri që do të fuste destabilizim dhe përçarje brendashqiptare, do të jetë detyrë kombëtare e organeve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës të jenë më vigjilentë ndaj këtyre synimeve që drejtohen nga “fryma myslimane” e çeçeneve putinianë.
Lidhja e politikave ruse me fytyra të tilla pseudokombëtare e pseudofetare është UDB-ja si dhe elementët e saj që janë ngjallur e janë fuqizuar në veprim falë edhe heshtjes së strukturave përgjegjëse shtetërore që tashmë po e konsiderojnë të “vdekur” këtë shërbim të ngritur e të specalizuar mbi kurriz të shqiptarëve! A nuk ishte po ky Shaqir Fetai ai i cili e priti një delegacion rus më në krye Abdul-Vahid Niyazov, deputet në Dumën ruse i deleguar nga Partia e Putinit, miku i ngushtë i Ramazan Kadyrovit, aleatit të vetëm çeçen që po masakron krah për krah me Putinin në Ukrainë! Shaqir Fetai u dakortësua që bashkë me Niyazovin të ndikojnë që në ndonjë park të Tetovës të ngritet një përmendore e babait të Ramazanovit, Ahmed Kadyrov, ish-kryetarit pro-rus të Çeçenisë!
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk guxon të trajtohen si “komunitet” provincial e i lokalizuar brenda një kufiri ku bëjnë jetë nomade! Brenda natës shërbimi sekret maqedonas urdhëroi që të tubohet “elita myslimane” dhe ta kapin BFI-në, duke e eliminuar H. Sulejman ef. Rexhepin. Këta që u mblodhën e respektuan më shumë urdhërin e shërbimeve sekrete se sa strategjinë kombëtare! Këta që tashmë e “kontrollojnë” BFI-në do të shtrijnë bashkëpunim kontaminues institucional edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Kësisoj, këta udbashë dal nga dal do të legjitimohen dhe do të organizojnë takime edhe me personalitete të rëndësishme kombëtare! Atëherë nuk do të dihet më se cili është më udbash se tjetri, kush ishte e kush nuk ishte udbash! Ky është mision i dikujt për ta realizuar vetëm një qëllim: sa më shumë radikalizim, ekstremizim, hasmëri e vëllavrasje në mesin e shqiptarëve! Populli shqiptar ka nevojë për kujdes shtetëror.