Pasi që shumica parlamentare, së bashku me opozitën maqedonase, dje u bashkuan për ta bërë veprën antiligjore të shtyrjes së regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive, dëshirojmë sot të sqarojmë për opinionin se çfarë në të vërtetë ndodhi dje.
Gjëja e parë që duhet shpjeguar është se përkundër rekomandimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se nuk organizohen këso procese kaq të ndërlikuara në kohë pandemie, shumica parlamentare vendosi ta fillojë këtë proces. Por, kur ne e pamë se kjo shumicë nuk dëgjonte për argumente shëndetësore, ndërsa votat tona nuk mund ta ndryshonin atë vendim, ne iu qasëm çështjes se çfarë mund të përfitohet nga ky proces. Prandaj edhe e mbështetëm ligjin, të cilin shumica parlamentare e sabotoi dhe prandaj pas asaj bëmë gjithë atë fushatë vendore dhe më gjerë që ta mobilizojmë mërgatën tonë të regjistrohet, ndërsa brenda i angazhuam strukturat tona që këtë detyrë ta realizojmë me përgjegjësinë më të lartë. E pastaj, kur doli puna se shqiptarët vetëm në mërgatë e kaluan 200-mijëshin e të regjistruarve, ndërsa pala maqedonase e bojkotonte regjistrimin, dy liderët e partive më të mëdha maqedonase, ai i LSDM-së – Zaev, dhe ai i VMRO-DPMNE-së –Mickovski, u takuan kokë më kokë në një takim monoetnik, me qëllim që ta shtyjnë regjistrimin. Andaj, duke e ditur se sa e rrezikshme është për një shtet aspirant për BE që në takime monoetnike të vendoset për çështje shtetërore dhe shteti për herë të dytë ta anulojë regjistrimin e popullsisë, ndërkohë që nuk ka pasur regjistrim në 20 vjetët e fundit, ne e penguam anulimin e tij, ashtu që deri më 1 prill ata që u morën vesh nuk arritën të prodhojnë vendim parlamentar për shtyrjen e tij. Dhe, në vend se më 1 e 2 prill të vijonte procesi i regjistrimit, vetëm falë marrëveshjes Zaev-Mickovski, u shkel Ligji për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive, ngase Enti Shtetëror i Statistikave nuk e përmbushi detyrimin ligjor. Që shkelja të jetë edhe më e madhe, kryetari i Kuvendit e pengoi opozitën shqiptare të dorëzojë amendamente, ndërsa – paradoksalisht – lejoi që propozim-ndryshimi ligjor të futet në Komisionin e Çështjeve Europiane, edhe pse kështu me të dyja këmbët shkeleshin vlerat europiane. Pas kësaj vijoi edhe seanca plenare, ku ata (LSDM-VMRO-BDI) e votuan shtyrjen e regjistrimit, që më shumë lexohet si ndërprerje sesa si shtyrje.
Ajo që la shije të keqe në gjithë këtë proces ishte qëndrimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, që përkundër interesave shtetërore që të mos ndërpritet regjistrimi dhe përkundër interesave shqiptare që regjistrimi të vazhdojë sipas dinamikës së filluar, kjo parti u bashkua me vendimin e takimit Zaev-Mickovski, në të cilin as nuk ishte ftuar të marrë pjesë, për të dalë kështu kundër interesave euro-integruese të vendit, si edhe kundër interesave shqiptare për t’u regjistruar. Për neve nuk ishte habi, sepse ne e njohim mirë atë subjekt, por më shumë ishte keqardhje që kjo parti në kohën që duhej të përcaktohet a është me shqiptarët apo kundër shqiptarëve, ajo u bashkua me partitë maqedonase dhe interesat e tyre kundër interesave shqiptare. Se pse ajo bën këso veprime, këtë duhet ta shpjegojnë ata, ndërsa ne jemi të bindur se shqiptarët nuk do ta harrojnë se kush në çfarë pozite ishte në këtë çast strategjik e historik.
Mënyra se si u shty regjistrimi flet për indikacionin se eksponentë të caktuar të politikës nacionaliste maqedonase do të bëjnë çmos që, përmes Gjykatës Kushtetuese, ta anulojnë regjistrimin e mërgatës, në mënyrë që ta shpëtojnë përqindjen e maqedonasve dhe ta ulin përqindjen e shqiptarëve. Pasi që i kanë përzënë 300 mijë shqiptarë nga ky vend, tash duan edhe t’i fshijnë tërësisht nga e drejta e tyre për të qenë pjesë e këtij shteti.
Të gjendur në këtë situatë, ne – opozita shqiptare, pra koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA do të vazhdojmë që me shumë kujdes ta bëjmë betejën me të gjitha mjetet demokratike dhe t’i demaskojë të gjithë ata që për interesa meskine e rrezikojnë të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut dhe vihen në agjenda antishqiptare. Duke e ruajtur shtetin multietnik, duke u kujdesur që mos të prodhohen ndarje mbi baza etnike në shtetin tonë, si dhe duke u qëndruar besnik interesave të votuesve tanë, ne do të kujdesemi që ky interes strategjik i shtetit dhe i shqiptarëve të mos nëpërkëmbet dhe regjistrimi i popullsisë të vijojë deri në regjistrimin e secilit në listën e qytetarëve rezidentë të këtij shteti. Ne nuk mund të lejojmë që dikush të tallet akoma me përqindjen e shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk janë as përqindje e as pjesë, por janë shumicë shtetformuese dhe janë tërësi e pandashme.