Gjatë periudhës së komunizmit shqiptarëve, përmes propagandës, ju dha për konsum një udhëheqës madhështor, babaxhan, i dashur me popullin e të tjera.
Por kush ishte Enver Hoxha përtej kësaj fasade?
Ndërtuar përmes rrëfimeve apo shënimeve të disa personazheve që e njohën nga afër, seria e re e emisionit Abc/Story, që u shfaq premierë mbrëmjen e sotme tregoi një profil krejt të panjohur për Enver Hoxhën.
Zemërak, katil, deri në shtatë breza me të gjithë ata që i konsideronte armiq, i paduruar, mosbesues, dhe tmerrësisht i lodhshëm për sekretarët dhe stafin e tij në Komitetin Qendror të Partisë, Enver Hoxha ishte konvertuar në një personazh të frikshëm.
Të frikshëm e kishin bërë lufta e egër me të gjithë ata që i kishte konsideruar kundërshtarë të regjimit të tij, pushkatimet, burgosjet dhe internimet masive, porse lufta periodike brenda Partisë, eleminimet një pas një të bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të afërt të kohës së luftës, e kishin shndërruar në një demon.
Një demon, që sipas njerëzve që e njohën nga afër, niste të këndonte këngën e Mentor Xhemalit “Për ty atdhe”, sa herë dëgjonte gjykatësin të shqiptonte dënimin me vdekje të ish-miqve e ish-kolegëve të tij.
Pikërisht një profil sa më të përafërt të Enver Hoxhës që nuk kemi njohur mëton të ndërtojë edhe kjo seri, që vendoset në fund të këtij cikli dokumentarësh.
N.D./abcnews.al