Abuzimet e dyshuara me fondin 33 milionë euro të BE-së për bujqësinë nga ana e autoriteteve shqiptare kanë shkaktuar pasoja të rënda tek fermerët shqiptarë, për shkak të bllokimit të grantit tjetër nga ana e Ipard.
Ky është mendimi i deputetëve të opozitës, sipas të cilëve qeveria shqiptare nuk pranon as ndihmën e opozitës për të gjetur një zgjidhje të besueshme për Brukselin. Përkundrazi, sipas Jorida Tabakut, kryetare e komisionit për çështjet europiane, qeveria shqiptare ka tentuar një tjetër alternativë për të siguruar këto para për të ndihmuar sektorin e bujqësisë, duke dështuar.
“116 milionë euro janë bllokuar si rezultat i asaj që ka ndodhur në korrik të vitit të shkuara. Qeveria është duke u përpjekur që t’i gjenerojë këto fonde nëpërmjet sistemi bankar dhe i ka thirrur të gjitha bankat, por ka qenë e pamundur sepse janë procedura të cilat sistemi bankar nuk i kryen dot ashtu siç mund të bëhen nëpërmjet granteve të BE” – tha Tabaku në një intervistë televizive.
Përfituesit e fondeve të BE, për demokraten Tabaku, janë vetëm sipërmarrës të mëdhenj me njohje qeveritare.
“Fondet shkonin tek një grup i privilegjuar fermerësh, vetëm fermerë e mëdhenj përfitonin, është një numër prej 260 fermerësh që kanë aplikuar, kishte një procedurë të vështirë për t’i marrë këto fonde, të cilat e bënë të pamundur për fermerin individual që t’i përfitonin këto fonde. Në këto kushte u ngrit një industri e tërë që këto njerëzit që kanë marrë fondet të ishin të lidhur me qeverinë” – u shpreh Tabaku.
Tabaku është e mendimit se me këtë skemë, zyrtarët e përfshirë në këtë aferën e dyshuar i kanë bërë një dëm të madh Shqipërisë në sytë e Brukselit.
“Problematikë që lindi pas zbulimit të aferës korruptive me fondet e donatorëve dhe të BE janë të dyja njolla që sado të përmirësonin mekanizmat mbeten njolla mbi institucionet shqiptare. Praktikisht AZHBE është vulosur, është një skenë krimi.” – deklaroi deputetja demokrate.
Përveç se hetimit të OLAF, çështja me abuzimet e dyshuara të fondeve të BE për fermerët shqiptarë është në hetim edhe nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion.