Midis nesh
Një grup akademikësh maqedonas, të tmerruar nga përcaktimi kombëtar i tyre për identitet nacional pro-perëndimor, kanë nisur të hedhin “farën e frikës”, duke shpresuar se së shpejti do t’i korrin edhe frutat! Këta akademikë assesi të kuptojnë se në këtë nënqiell nuk jeton vetëm populli opozitar maqedonas, i cili rrënjët e veta etnike i kërkon në antikitet, i cili fatin e identitetit të vet kombëtar e kulturor e lidhë me interesat gjeostrategjike serbo-ruse në rajon!
Për 45 vite komunizëm, në mesin e maqedonasve erdhi deri te asimilimi identitar dhe kalimi i tyre në serbë e në rusë! Këtë presion nuk ua bëri Perëndimi, në këtë asimilim e tëhuajësim identitar nuk i detyroi Perëndimi, por lakmia për superioritet sllav në raport me shqiptarët!
Sot, teza e këtyre akademikëve (altoparlantë të politikave të opozitës maqedonase) “mbarështrohet” si shqetësim nacional për kushtëzimin e maqedonasve që, nëse dëshirojnë të inkuadrohen në BE, duhet të heqin dorë nga maqedonizma, nga gjuha dhe kultura maqedonase! Integrimin e interpretojnë si asimilim! Ndërsa nuk shqetësohen nga fakti se si vetëm për pesëdhjetë vite komunizëm janë shndërruar në “identitet”, i cili duhet të jetë më afër Lindjes se sa Perëndimit!
Nuk janë shumë, janë nja dhjetë-pesëmbëdhjetë akademikë maqedonas, të cilët dëshirojnë t’i tregojnë botës se do të angazhohen për ndryshime politike në vend dhe, sapo të kalojë pushteti në duart e opozitës aktuale, Maqedonia e Veriut do të heq dorë edhe nga Marrëveshja me Bullgarinë, edhe nga Kontrata me Greqinë! Harrojnë se në Maqedoninë e Veriut jetojnë nja një milion njerëz që nuk kanë lidhje me maqedonizmën dhe se e japin edhe jetën, edhe “shtetin” vetëm që të inkuadrohen në familjen e madhe të Evropës!
Evropa, investon miliarda dollarë për ruajtjen dhe për zhvillimin e diversitetit etnik e kulturor brenda kufijve të vet! Secili popull obligohet që ta ruajë identitetin etnik e kulturor, të investojnë në këtë pasuri botërore dhe t’i nënshtrohen rregullave që janë të përbashkëta për të gjithë popujt që jetojnë në BE, madje me lashtësi e tradita mijëra vite më të hershme se maqedonasit e Maqedonisë së Veriut, e që, integrimi, si vlerë unikale evropiane, e kanë si rregull të domosdoshëm! Pra, nuk bëhet fjalë për asimilim, por për integrim!
Le të supozohet se opozita aktuale maqedonase, do t’ia dalë të marrë pushtetin dhe t’i refuzojë këto dy marrëveshje të arritura me BE-në! Do të shkëputet nga Perëndimi dhe do të lidhet me Rusinë! Pse kjo sinergji kaq e madhe e tyre me Rusinë? Pse kjo brengë kaq e madhe e akademikëve maqedonas se me marrëveshjet me grekët e bullgarët, maqedonasit praktikisht kanë hequr dorë nga identiteti i tyre etnik e kulturor! Kështu thoshin dikur edhe për Marrëveshjen e Ohrit të arritur në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve! Pse për këta akademikë maqedonas vetëm marrëveshjet me serbët e rusët mund të jenë garanci për identitetin e tyre kombëtar e kulturor! Pse këta akademikë maqedonas janë kundër inkuadrimit në BE? Mbase për të vetmin fakt, sepse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë qind për qind për integrim në familjen e madhe evropiane dhe në këtë përcaktim etnik shohin ndonjë “hile antimaqedonase”!
Në fakt, këta akademikë maqedonas duhet të injorohen e të poshtërohen, sepse po e nënçmojnë fuqinë nacionale për ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor maqedonas. Këta po thonë se sapo të futemi në BE, maqedonasit do të ngelin pa maqedonizmën! Kjo logjikë shënjon tjetër problem: e nxjerr në pah dobësinë nacionale maqedonase! Nuk pranojnë të bëhen propagues të një politike të shenjtë evropiane: diversitetin etnik e kulturor! Ata që asimilohen dhe që pranojnë të heqin dorë nga vlerat e tyre nacionale – ky nuk duhet të jetë faj i BE-së?
Akademikët bëjnë mirë që të propagojnë optimizëm, duke e marrë për shembull popullin shqiptar dhe të kërkojnë nga maqedonasit e frikësuar që të sillen si shqiptarët, të cilët, pavarësisht se kaluan 1000 vite nën perandorinë romake, 500 nën perandorinë bizantine, 500 vite nën perandorinë otomane, 100 vite nën strategjinë gjenocidale serbe, megjithatë, ia arritën që ta ruajnë identitetin e vet kombëtar e kulturor! Sepse, kjo është e drejtë e garantuar nga Zoti! Ata që vullnetarisht vetë-asimilohen nuk mund t’i shpëtojë as vetë Zoti! /HEJZA/