Qëndra Kombëtare e Regjistrimit është aktualisht institucioni më i dyndur publik, ku pas paralajmërimeve të qeverisë se do të ndëshkojë evazorët, mijëra biznese kanë nxituar të ligjërojnë aktivitetin.
Drejtoresha Vasilika Vjero thotë se në dy muajt e fundit regjistrimet janë rritur me disa herë.
“Vetëm në këtë periudhë janë regjistruar mbi 6.800 biznese, ose 3.7 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Ndërsa vetëm në gusht janë regjistruar 4.800 biznese, ose 6.8 herë më shumë se gushti i vitit të kaluar”, deklaron Vejro.
Por, përveç regjistrimeve të reja, Vjero thotë se është vënë re edhe një fenomen tjetër, ai i rihapjes së shumë bizneseve që kishin deklaruar pezullim të aktivitetit.
“Vërejmë se për muajin gusht, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje tre herë më të madhe. Kemi fenomenin e riaktivizimit, që do të thotë se shumë biznese, ndonëse kishin deklaruar falimentimin e aktivitetit, në terren kanë qenë duke e ushtruar atë”, thotë Vjero.
Kompanitë që tregtojnë kasa fiskale thonë se po përballen me një fluks të paprecedentë kërkesash. “Fluksi i një dite në ditët e fundit mund të barazohet me fluksin e një muaji të muajve të mëparshëm”, nënvizon drejtoresha e QKR-së.
Veç kërkesave për kasa të reja, kompanitë thonë se po përballen me një fluks të lartë edhe për zhbllokimin e kasave ekzsituese, nga bizneset të cilat ndonëse i kanë marrë ato më parë, nuk i kanë vënë në punë.
“Paraqiten klientë që aplikojnë për kasa, kryesisht biznese të reja, por ka edhe përfaqësues të bizneseve të mëparshme që nuk e kanë përdorur asnjëherë kasën dhe tani janë paraqitur për të bërë zhbllokimin e saj”, vijon Vjero.
Qeveria ka parlajmëruar se nuk do të tolerojë asnjë aktivitet tregtar të paformalizuar dhe se do të ndëshkojë çdo biznes që kapet në evazion.