“Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! Ai ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh që i duhen për të vjedhur Shqipërinë.” Me regimin që nis kundër kryeministrit Edi Rama, Lulzim Basha kërkon sërish që Prokuroria të veprojë kundër Valdrin Pjetrit, kryebashkiaku në pritje i Shkodrës.
Kryeopozitari thotë se Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse, sipas tij, ka shkelur ligjin e dekriminalizimit.
“Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit”, shprehet Basha.
Partia Demokratike pretendon se Valdrin Pjetri është dëbuar nga Italia në vitin 2003 për trafik droge, por socialisti i mohon këto pretendime. Sipas Bashës, “sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë.”
“Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën! Shporrja e Hajdutit Psiqik dhe bandës së tij është jetike për sigurinë dhe jetën e çdo familje shqiptare”, mbyllet reagimi i kreut të PD-së.