Alec Baldwin akuzohet për vrasje të pavullnetshme

Aktori qëlloi për vdekje një kineaste gjatë xhirimeve për filmin “Rust”

Aktori Alec Baldwin do të akuzohet për vrasje të pavullnetshme në lidhje me vrasjen e kineastes Halyna Hutchins, e cila mbeti e vrarë në një shesh xhirimi. Baldwin ishte duke zhvilluar prova për një skenë për filmin “Rust’ kur qëlloi me armën e përcaktuar për rolin.

Akuzat do të ngrihen gjithashtu ndaj Hannah Gutierrez Reed, ekspertja e armëve të filmit. Avokatët e të dyve thanë se synojnë t’i hedhin poshtë akuzat në gjykatë. Prokurorja e qarkut e Santa Fe, Mary Carmack-Altëies njoftoi ngritjen e akuzave të enjten.

“Aktori dhe producenti Alec Baldwin dhe ekspertja e armëve Hannah Gutierrez Reed do të ngarkohen secili me dy akuza për vrasje të pavullnetshme. Kam konstatuar se ka prova të mjaftueshme. Këtu askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë meritojnë drejtësi.”

Avokati i Baldwin, Luke Nikas, e quajti vendimin e prokurorëve “një gabim të tmerrshëm drejtësie”.

Nëse shpallen fajtorë, të dy përballen me një dënim deri në 18 muaj burg dhe një gjobë prej 5,000 dollarësh. Ata do të gjykohen nga një juri, thanë prokurorët. Regjisori i filmit Joel Souza u plagos gjithashtu në të shtënat, por prokurorët thanë se për këtë rast nuk do të ngrihet asnjë akuzë.

Ndihmësi i regjisorit të filmit, David Halls, u deklarua fajtor për akuzën e përdorimit të pakujdesshëm të një arme vdekjeprurëse, thanë prokurorët. Ai do të vuajë një dënim prej gjashtë muajsh shërbim prove.

Leave a Reply