Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi se “nuk ka asnjë vendim gjyqësor për fajësinë e Zaganit”, duke iu përgjigjur kështu postimit në Facebook të Taulant Ballës.
“Është hedhur në sulm që me çdo mjet të asgjësojë provat e çështjes Tahiri. Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim”, shtoi Alibeaj.
“Në këto katër vite, Saimir Tahiri dhe Edi Rama kanë akuzuar dhe arrestuar vetëm një njeri: Dritan Zaganin, njeriun që hetoi dhe kapi në flagrancë bandën Tahiri-Habilaj. Asnjë polic dhe madje asnjë kriminel nuk është sulmuar dhe akuzuar prej Edi Ramës sa Dritan Zagani. Kaq mjafton për të kuptuar se në anën e kujt kanë qenë Saimir Tahiri dhe Edi Rama. E vërteta është se Rama-Tahiri kanë qenë në dijeni të plotë të veprimtarisë kriminale të Habilajve dhe jo vetëm. Kanë qenë frymëzues, mbështetës dhe përfitues të saj, siç del nga përgjimet e antimafias italiane. Kanë qenë në dijeni, e kanë ndihmuar dhe e kanë bekuar trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve. Kanë përfituar prej saj dhe kanë blerë edhe zgjedhjet me milionat e drogës. Prandaj Oficerin Dritan Zagani e sulmuan, e kërcënuan e arrestuan dhe e persektuan të gjithë këto tre vjet: e kërcënuan Habilajt, e kërcënoi Saimir Tahiri, e kërcënoi Edi Rama. Së bashku deshën ta dergjnin në burg për shumë vite, por nuk ja dolën dot. Para dy ditësh Edi Rama gënjeu publikisht se Zagani është i dënuar nga Krimet e Rënda. Pasi gënjeshtra e tij doli zbuluar, sot serviri përmes Taulant Ballës një masë e sigurimi të Krimeve të Rënda. Në fakt, kushdo përveç avokatit të krimit dhe mafias e kupton se një masë sigurimi nuk është vendim dënimi. Aq më tepër kur masa e sigurimit i është dhënë për shkak të konspiracionit të strukturave të SHKB në varësi direkte të Tahirit. E vërteta është se deri më sot nuk ka asnjë vendim gjyqësor për fajësinë e Zaganit. Se masa e sigurimit “arrest në burg” e kërkuar në vitin 2014 pranë Krimeve të Rënda është një tullumbace e shfryrë, nga vetë kjo gjykatë për mungesë provash. Se sot nuk ka asnjë procedim penal tek Krimet e Rënda ndaj Zaganit. Se procedimi penal është përcjellë në Gjykatën e Fierit dhe pas më shumë se 3 vjetësh, ende nuk ka përfunduar, megjithë presionin politik të pashembullt”, tha Alibeaj.