Vogëlushi 11 vjeçar shqiptar, Alvin Berisha më në fund ka mbërritur në Itali duke e lënë pas makthin e luftës dhe jetën e vështirë në kampet siriane.
Mëngjesin e kësaj të premteje, Alvini u takua me babain e tij dhe dy motrat.
Vogëlushi me buzëqeshjen karakteristike tashmë do të jetë sërish i lirë për të jetuar fëmijërinë e tij e për të patur pranë njerëzit e dashur.
Pas 4 vitesh përpjekje, liria e Alvinit sigurisht nuk ka qenë e lehtë të arrihej. Në një konferencë për shtyp përfaqësuesit e institucioneve kryesore që mundësuan rikthimin e tij, kanë rrëfyer detajet e një operacioni kompleks por që fatmirësisht dha rezultatin e pritur.
Marco Rossi: Nga momenti kur e ëma e rrëmbeu Alvinin drejt Sirisë ne nisëm hetimet. Ajo kishte edhe dy vajza por mori djalin me vete si një luftëtar të ardhshëm të kalifatit. Kemi të bëjmë me një rast të radikalizimit total. Ne kemi komunikuar në telefon me Alvinin, ai thoshte se kishte frikë dhe donte të kthehej në shkollë, thoshte se nëna vishej si një ninxha dhe gjendej mes shumë fëmijëve të tjerë. Sigurisht procesi zgjati për shkak të procedurave, ne duhet të merrnim të gjitha informacionet e mundshme për të studiuar cështjen. Kur mësuam se gjendej në kampin Al Hol atëherë kishim më shumë shpresa për ta shpëtuar.
Më tej ishin autoritetet e kryqit të kuq ata që ndërhynë.
Francesco Rocca: Ne duhej patjetër të komunikonim me gjysmëhënën e kuqe siriane për ta gjetur Alvinin pasi ata kujdesen për shëndetin e fëmijëve në kampin Al Hol. Vështirësia më e madhe ishte që të mos merrej vesh se donim ta largonim nga aty pasi kampi kishte rregulla të rrepta sigurie. Askush nuk mund të arratisej. Kur filloi ofensiva turke, çështja u bë edhe më e vështirë, pasi ishin të përfshira çështje politike komplekse. Pas bisedimeve të gjata me autoritetet kurde, dhe me ndihmën e të gjitha autoriteteve të përfshira, arritëm ta marrim Alvinin. Ai u ndje i sigurt me ne, donte të takonte babain, por nuk mundi ta fshehë habinë kur shkuam në Bejrut, ai nuk kishte parë asnjëherë një qytet pas viteve të gjata të qëndrimit në kamp.
Përfaqësuesi i Gjysmë Hënës Siriane që luajti një rol mjaft të rëndësishëm në operacionin për shpëtimin e Alvinit tha se organizata ku bën pjesë është gati edhe për operacione të tjera të shpëtimit të fëmijëve që ndodhen në kamp.
“Kontakti i parë ishte me përfaqësuesin e Kryqit të Kuq Italian. Shteti dhe populli sirian u treguan të gatshëm, por nuk ka qenë e thjeshtë. Nëse nuk do të kishim informacione të detajuara nga Shqipëria dhe Italia nuk do të ishim këtu, ky është simbol i bashkëpunimit humanitar mes Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës Siriane, jemi gati të ndihmojmë edhe në të ardhmen nën kërkesën e Presidentit të Kryqit të Kuq Italian” tha ai.
Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj dha mesazhin se terrorizmi dhe ekstremizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë.
Sander Lleshaj: Gjithçka erdhi pas takimit të dy kryeministrave Conte e Rama në Romë, operacioni u ndoq nga ata të dy drejtpërdrejt. Aspekti diplomatik përfshiu dy ambasadat në Romë dhe ambasadën italiane në Bejrut. Ka pasur një aspekt të rëndësishëm policor ku janë angazhuar policitë e dy vendeve dhe së fundmi por jo nga rëndësia ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e kuqe. Nuk dua të hyj në detaje të operacionit por kam ardhur për të shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptarë për të gjithë aktorët e përfshirë.
Edhe kryeministri Italian Giussepe Conte, një ditë më parë ka falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në shpëtimin e tij, ndërsa është shprehur se ky është një lajm që të mbush zemrën dhe një shembull i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar.