Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, thotë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë të vogla, por ai është ende optimist.
Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ai ka deklaruar se është e mundur që një zgjidhje kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës të gjendet në një ose dy vjet.
Një vlerësim të tillë ai e ka dhënë derisa është pyetur nëse është realiste që një zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet në një të ardhme të afërt, përkatësisht në një apo dy vjet.
“Po sigurisht. Vetëm shikoni se sa shpejt është bërë progres vetëm në muajin e fundit. Problemi nuk është i vogël, por unë mendoj se njerëzit në këtë rajon tashmë kanë shumë status quo, ndërsa në të njëjtën kohë të rinjtë më të mirë dhe më të zgjuar ‘votojnë’ jo me fletë votimi, por me valixhe – duke emigruar në Gjermani, Francë dhe pjesë të tjera të Evropës dhe SHBA – për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre. Sinqerisht, besoj se tani jemi në një moment historik emocionues, për të gjithë rajonin”.
Në intervistën për mediumin serb ”Kurir”, Godfrey ka thënë se vëmendja e kushtuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, i dha energji të re dhe një shtysë të re marrëdhënieve të SHBA-së me Serbinë.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara besojnë se ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë kështu mbështetje të drejtpërdrejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Angazhimi ynë për këtë çështje nuk është i ri dhe as nuk lidhet me fushatën zgjedhore (në Shtetet e Bashkuara)… Ne besojmë në rëndësinë e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Kjo nuk do të ndryshojë edhe pas zgjedhjeve të nëntorit”, citohet të ketë thënë Godfrey kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara në ndonjë mënyrë po konkurrojnë me BE-në për angazhimin në gjetjen e një zgjidhje kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës dhe nëse ky angazhim është në të vërtetë në shërbim të fushatës zgjedhore të Trump. /Telegrafi/