Ambasadori i Shqipërisë në Madrid po ndjek me vëmendje zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Katalonjës.
Ridi Kurtezi tregon për Top Channel orët e tensionuara në Spanjë dhe se qeveria e Rahoit po rimerr kontrollin në rajonin rebel.
“Duke filluar nga dita e nesërme pushteti politik në komunitetin katalan, kalon në kompetencat e zv.Kryeministres Santa Maria. Me një urdhër të veçantë të ministri të Brendshëm, forcave të sigurisë do tu kërkohet të mos respektojnë me zinxhirin e komandimit lokal por të zbatojnë vetëm urdhrat e Guardia Civil, që është forca nacionale spanjolle. Pritet që Gjykata Kushtetuese spanjolle të fillojë një proces penal ndaj elitës politike katalane dhe kryesisht për presidentin dhe kryetarin e Parlamentit”, tha Kurtezi.
Sipas ambasadorit Kurtezi, aktualisht situata në Katalonjë është e qetë. Qetësi kjo që do të zgjasë derisa nuk krijohen tensione mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Duke u ndalur tek siguria, masa të rrepta janë marr për ndeshjen e së dielës, Giron –Real Madridit.
“Janë marr masa sigurie shumë të rrepta për këtë ndeshje pasi Girona është djepi i separatizmit të Katalonjes. Aty është vendi ku janë përqendruar forcat politike kryesore të cilat kanë elementin kryesor për shkëputjen nga Madridi”, thotë ai.
Por cili është qëndrimi i Shqipërisë mbi pavarësinë e Katalonjës?
“Partnerët europian kanë qënë eksplicite në deklaratat e tyre, po ashtu dhe DASH, duke mbështetur qeverinë qendrore, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe duke shprehur dëshirën për respektimin e Kushtetutës, sundimit të ligjit. Edhe qëndrimi jonë shkon në këto parametra.
Ambasadori i Shqipërisë në Madrid, komenton dhe deklaratat të cilat e lidhin Katalonjën me Kosovën.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës erdhi nga kërcënimi i paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë rajonin, ndërsa në rastin e Katalonjës, ajo është një nga krahinat më të zhvilluar spanjolle. Mendoj që nuk ka fare krahasim midis këtyre dy dosjeve”, thotë Kurtezi.