Një grua në Shtetet e Bashkuara është paditur për tentativë për vrasjeje, pasi e pranoi përpara policisë se kishte goditur qëllimisht me veturë një adoleshente, sepse “dukej si meksikane”.
E lënduara, 14 vjeçe, e cila në ato momente ka qenë duke shkuar në shkollë, ka plagë të ndryshme në trup.
Ngjarja ndodhi në mes të ditës në Iowa. Gruaja 42 vjeçare, Nicole Marie Poole Franklin, u arrestua me ndihmën e kalimtarëve të rastit të cilët e identifikuan, pasi ajo kishte mundur të largohej nga vendngjarja. Gruaja u arrestua pas 15 minutash.
Duke folur gjatë një konference për shtyp, shefi i policisë lokale, Michael Venema, u shpreh thellësisht i tronditur nga rrëfimi i Franklin, e cila e kishte pranuar fajin, dhe kishte vazhduar të bënte pohime ofenduese për latino-amerikanët, madje edhe përpara vetë grupit të hetuesve.