Kritiku i Putinit në gjendje të rëndë shëndetësore, i mohohet trajtimi
Figura kryesore e opozitës ruse dhe kundërshtari kryesor i presidentit Putin, Alexei Navalny, qëndron i burgosur në kushte të cilat mund të cilësohen si torturë dhe mund të sjellin ngadalë vdekjen, tha grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International.
Navalny pengohet të flejë dhe nuk vizitohet nga një mjek i besuar, thekson organizata.
“Rusia, autoritetet ruse, janë duke e shtyrë ata drejt një vdekjeje të ngadaltë me atë që po i bëjnë. Është e qartë se autoritetet ruse po shkelin të drejtat humane. Na duhet të bëjmë më shumë”, i tha agjencisë Reuters, Agnes Callamard, sekretarja e përgjithshme e Amnesty International.
Navalny hyri në grevë urie javën e kaluar pasi autoritetet e burgut refuzuan ndihmën mjekësore për dhimbjet e shpinës dhe të këmbës.
Kremlini refuzoi të komentojë në lidhje me gjendjen shëndetësore të Navalny, por tha se ai do të marrë trajtim shëndetësor si çdo i burgosur tjetër. Opozitari është dënuar me 2.5 vjet burg për shkeljen e dënimit me kusht për një rast mashtrimi.
Kremlini e konsideron atë një kukull të Perëndimit që synon të destabilizojë Rusinë, ndërsa zëdhënësi i Putinit tha se Navalny është agjent i CIA-s.