Nga Marta Rodriguez Martinez, Euronews /
Sipas një sondazhi të kryer në tetor nga Euronews, vetëm rreth një e treta e francezëve kanë deklaruar se do të vaksinoheshin kundër Covid. 63% e britanikëve thanë se do të vaksinoheshin, ndjekur nga 57% e gjermanëve dhe 55% e italianëve. Ndërkohë, më shumë se 40% e spanjollëve do të preferonin të mos vaksinoheshin, sipas një sondazhi tjetër nga Qendra për Kërkime Sociale në Spanjë. Kjo ngre një dilemë për qeveritë: Duke pasur parasysh faktin se efektiviteti i një vaksine varet nga një përqindje e lartë e njerëzve që e bëjnë atë, çfarë ndodh nëse një numër i madh i popullsisë refuzon të vaksinohet?
A ka mënyra për t’i bërë njerëzit që të bëjnë vaksinën?
Miquel Morales Sabalete, një partner në firmën ligjore AGM Abogados në Spanjë, tha për Euronews se është e mundur t’i detyrosh njerëzit të bëjnë vaksinën, edhe pse trajtimi ose ekzaminimi i detyrueshëm mjekësor mund të ndikojë te të drejtat themelore të përcaktuara në kushtetutën e vendit.
Vaksina mund të bëhet e detyrueshme sipas Ligjit Organik për Shëndetin Publik, që përcakton se autoritetet shëndetësore “do të jenë në gjendje të miratojnë masa për ekzaminimin, trajtimin, shtrimin në spital ose kontrollin kur ka prova të ekzistencës së një rreziku për shëndetin e popullatës për shkak të gjendjes shëndetësore të një personi ose një grupi njerëzish, ose nga aktivitetet e kryera”.
Pra, nëse autoritetet shëndetësore thonë se pandemia e justifikon atë, nuk duket të ketë ndonjë pengesë ligjore për ta bërë vaksinën të detyrueshme. Italia nuk ka vendosur ende nëse do ta bëjë vaksinën të detyrueshme. “Nuk ka asnjë udhëzim për ta bërë vaksinën të detyrueshme, por ne e rekomandojmë atë,” tha kryeministri Guiseppe Conte. Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, shtoi: “Unë mendoj se me bindje dhe me një fushatë të vërtetë ne mund të arrijmë imunitetin e tufës pa detyrim, por është e qartë se duhet të arrijmë imunitetin.”
Në Francë, presidenti Emmanuel Macron ka qenë i prerë se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme. “Imuniteti duhet të arrihet në mënyrë të qartë dhe transparente, duke ndarë të gjithë informacionin në secilin hap – çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë. Gjithashtu, dua të jem i qartë. Nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm,” tha ai.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha: “Askush nuk do të jetë i detyruar të bëjë vaksinën, është një vendim vullnetar.” Kryeministri britanik Boris Johnson tha se megjithëse ai “i nxit me forcë njerëzit” të vaksinohen, “nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm, kjo nuk është mënyra se si ne i bëjmë gjërat në këtë vend”.
A mund t’i detyrojnë bizneset private njerëzit që të vaksinohen para se të përdorin shërbimet e tyre?
Mendohet se kompanitë private nuk do të kenë fuqi ligjore për ta bërë vaksinën e detyrueshme, por sektorë të veçantë mund ta aplikojnë këtë vendim, për shkak të rrezikut të transmetimit të virusit në grupe, si për shembull punonjësit e azileve. Ai shtoi se linjat ajrore ose ndërmarrjet e tjera të transportit nuk do ta kishin këtë fuqi ligjore. Sipas tij, sistemi mund të jetë i njëjtë me atë aktual me testet PCR: ata mund të kërkojnë prova të vaksinimit për përdoruesit që duan të udhëtojnë në një destinacion të caktuar ku një qeveri ka vendosur rregulla të tilla.