Analiza/ A mjafton që Biden të luajë kartën anti-Trump për të fituar zgjedhjet në SHBA?

Argumenti kryesor i fushatës zgjedhore të Joe Biden përmblidhet në një fjali: “Votoni për mua sepse nuk jam Donald Trump”. Por a mjafton kjo për të fituar zgjedhjet?
Fitorja e thellë e Trump në zgjedhjet e para presidenciale republikane të Iowa-s ishte një ‘goditje’ për Biden.

Sipas analistëve, kjo fitore e parë nxori në pah atë që do të përbëjë edhe fokusin e këtyre zgjedhjeve: betejën për demokraci.

Sa më shumë që Donald Trump të jetë në qendër të vëmendjes, aq më favorizuese do të jetë kjo për Biden. Të paktën kështu theksohet në një analizë që vlerëson fushatën presidenciale demokrate.

Sipas analizave e sondazheve, tre të katërtat e votuesve të pavendosur apo të quajturit elektorat gri,  ende nuk e kuptojnë se Trump është favorit për të fituar primaret e partisë së tij.

Nga ana tjetër, pala kundërshtare përdor si retorikë për të sulmuar politikisht Trump, dëshirën e hapur të këtij të fundit për ‘hakmarrje’ pas ardhjes në pushtet.

Ish-zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama, deklaroi së fundmi se ishte e tmerruar nga qëndrimi i Trump. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe zëvendëspresidentja, Kamala Harris.

“Por ne nuk duhet të ikim nga ajo që kemi frikë, duhet ta luftojmë atë”, deklaroi ajo.

Para fillimit të fushatës, Biden tha: “Mos më krahasoni me Zotin e plotfuqishëm, më krahasoni me alternativën”. Dhe alternativa është Donald Trump, me akuzat e shumta penale, refuzimin për të pranuar humbjen e tij në zgjedhjet e 2020, kërcënimet ndaj emigrantëve dhe kundërshtarëve të tij politikë.

Në orët dhe ditët pas zgjedhjeve paraprake në Iowa, fushata e Biden-it i shtoi intensitetin. Në një mesazh me email, guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom e quajti fitoren e Trump në Iowa, një shtet konservator, si momentin më të rëndësishëm për të rizgjedhur Joe Biden përballë “të keqes së Trump”.

Fushata zgjedhore nuk do të fokusohet në programin e demokratit, i cili deri tani është “inekzistent”, parashikoi William Galston, ekspert në Institutin Brookings. Votuesve do t’u kërkohet të zgjedhin midis dy kandidatëve, ideologjitë dhe programin e qeverisjes së të cilëve ata tashmë i njohin, për shkak se të dy janë ‘provuar’ në pushtet.

Por ky arsyetim nuk vlen për disa votues që ishin adoleshentë gjatë presidencës së Trump (2017-2021) dhe që nuk i mbajnë mend domosdoshmërisht vendimet e qeverisë së tij. Votuesit e rinj për herë të parë luajtën një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e Biden në vitin 2020.

“Edhe ata mendojnë se ruajtja e demokracisë është një mesazh i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm”, pranon Abu Amara.

Analistët janë dakord se rezultati, për shkak të veçorive të procesit zgjedhor në SHBA, do të vendoset me pak vota në shtetet që nuk njihen për qëndrimet e tyre thellësisht pro apo kundër secilit kandidat.

Ndërsa Biden do të marrë mesazhin e tij për demokracinë në nivel kombëtar, ekipi i tij i fushatës do të synojë grupe specifike votuesish në nivel lokal me zotime më specifike: të drejtat e abortit, lehtësimin e borxhit të studentëve, mirëqenien për të moshuarit, të drejtat civile të afrikano-amerikanëve.

Në të njëjtën kohë kohë, demokrati do të mbështetet në kontributin e Harris, ish-presidentit Barack Obama ose zyrtarëve të tjerë partiakë në shtetet më të rëndësishme strategjike, si Gretchen Whitmer, guvernatorja e Miçiganit ose senatori i Gjeorgjisë Raffae Warnock./vizionplus.tv/

Leave a Reply