Analizë e Portalb: “Prona e deputetëve nga blloku shqiptar: ar, stoli, armë” (I)

Abdulla Sadiu, deputeti nga Aleanca për Shqiptarët si pronë personale posedon një shtëpi prej gati 200m2 në Saraj dhe tokë ndërtimi prej 400 m2. Sadiu raportoi dy vetura të markës Pasat në fletën e tij anketuese, por jo edhe se kishte ndonjë llogari bankare.

Deputetja më e re në Kuvend vjen nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Artina Qazimi në moshën 23 vjeçare, deklaroi si pronë personale një shtëpi prej 100 mijë eurosh dhe oborr prej 1,600 metrash katrorë, me vlerë 200 mijë euro në Dobërdoll, e poashtu ka edhe automobil të markës Renault Megane me vlerë prej 3.200 eurosh. Ajo gjithashtu deklaroi edhe tokë bujqësore si pronë të prindërve të saj, të fituar nga trashëgimia.

Deputeti Elmi Aziri nuk ka ndonjë llogari bankare, në emrin e tij personal ka raportuar një banesë prej 106 m2 në Kumanovë me vlerë prej pothuajse 70,000 eurosh dhe një automobil të markës Mercedes të klasës C me vlerë prej 614,000 denarësh. Gruaja e tij posedon ar në vlerë prej 614,000 denarësh dhe të ardhura mujore për fëmijën e tretë prej 8,350 denarësh. Në emër të prindërve, deputeti raportoi një shtëpi prej 160 m2 në Kumanovë, me vlerë prej 90,000 eurosh.

Deputetja Ilire Dauti si pronë në emër të burrit të saj raportoi një shtëpi prej 341 m2 dhe tokë ndërtimi prej 943 m2 në f. Strimnicë, të fituara si dhuratë këtë vit, ndërsa si pronë personale ajo raporti stoli dhe ar në vlerë prej 20,000 eurosh, një automobil Audi A4 me vlerë prej 11,000 eurosh dhe depozitë në denarë prej 984,000 denarësh.

Surija Rashidi në fletën e tij anketuese si pronë personale raportoi një librezë kursimi me 500 euro dhe një tokë ndërtimi prej 439 m2 në Strugë. Si pronë të përbashkët ai ka raportuar livadh, vresht, pyll, tokë në Ladorisht, një makinë me vlerë 123,000 denarësh në emrin e gruas dhe një librezë kursimesh për fëmijë me 4,000 euro.

Deputeti Halil Snopçe sipas të dhënave nga fleta e tij anketuese, duket se i ka dhënë të dhënat më të hollësishme për statusin e pasurisë jo vetëm të tij, por edhe të familjes së tij. Kështu, prindërit e Snopçes kanë dy shtëpi në Gostivar prej 110 m2 dhe 92 m2, si dhe dy oborre së bashku me një rrugë prej 58 m2, të gjitha në Gostivar, si dhe pension prej gati 17,000 denarësh. Bashkëshortja e Snopçes ka stoli (pa e specifikuar vlerën), rrogë prej 40,000 denarësh, llogari transaksioni me 550,000 denarë, si dhe dy kredi në vlerë prej 8,500 eurosh. Fëmijët kanë llogari transaksioni në tre banka. Deputeti në emrin e tij personal ka raportuar dy atomobila në vlerë prej gati 16,000 eurosh, vepra artistike dhe koleksione me vlerë prej 180,000 denarësh, kompensim prej 10,500 denarësh, dy llogari transaksioni, dy kredi dhe vepra letrare me vlerë prej 163,750 denarësh.

Alternativa

Deputeti Afrim Gashi nga radhët e Alternativës në fletën e tij anketuese si pronë personale raportoi vetëm dy gjëra: automobil Mercedes E me vlerë prej 15,000 eurosh dhe dy llogari transaksioni, pa e specifikuar shumën. Prindërit e tij kanë shtëpi prej 257m2 dhe një banesë prej 60m2 në Shkup, pension prej 11,000 denarësh, si dhe tokë që është në procesin e transformimit. Bashkëshortja e Gashit posedon stoli në vlerë prej 120,000 denarë dhe një veturë me të njëjtën vlerë si stolitë, si dhe një kredi prej 3,000 eurosh.

Deputeti Safije Sadiki – Shaini nga radhët e Alternativës, sipas fletës anketuese nuk posedon asgjë, madje as llogari bankare. Në emrin e bashkëshortit të saj, ajo ka raportuar një banesë prej 67 m2 në Kumanovë dhe një automobili të markës Golf 4.

Skender Rexhepi, deputeti nga radhët e Alternativës ka raportuar se ka tre automobila me vlerë të përgjithshme prej 27,000 eurosh dhe një shtëpi në Shkup në vlerë prej 55,000 eurosh.

Duke gjykuar sipas fletës anketuese, deputeti Hysni Ismaili është një nga “më të pasurit”, që posedon banesa, shtëpi, tokë. Kështu, deputeti nga radhët e Alternativës deklaroi si pronë personale dy lokale afariste në Tetovë me një vlerë të përgjithshme prej 40,000 eurosh, tokë prej 68m2 në fshatin Lisec, dy shtëpi në Tetovë me një vlerë të përgjithshme prej 375,000 eurosh, tre banesa, dy në Tetovë dhe një në Strugë me vlerë të raportuar prej 138,400 eurosh, tre automobila dhe një varkë, si dhe stoli, gjegjësisht metale të çmuara me vlerë 30,000 eurosh. Një pjesë e pasurive të patundshme është fituar përmes blerjes, dhe një pjesë si trashëgimi.

Lëvizja Besa

Deputeti Bastri Bajrami nga Besa raportoi vetëm dy llogari transaksioni dhe tre armë me vlerë prej pothuajse 2,000 eurosh si pronë të tij personale në fletën anketuese. Në emrin e bashkëshortes së tij ai ka raportuar lokale afariste me vlerë gjysmë milionë euro në Shkup, tokë prej 5,300 m2 në Shkup, një automobil Leksus me vlerë 10,000 euro, një qira prej 147,000 denarësh në muaj dhe dy llogari transaksionesh. Prindërit kanë një shtëpi dhe oborr në Shkup, automobil prej 4,500 eurosh dhe qira prej 12,300 denarësh në muaj, ndërsa fëmijët kanë automobil prej 5,000 eurosh. Familja Bajrami ka një kredi prej 3,000,000 denarësh.

E gjithë pasuria e deputetit Bilall Kasami është në emër të prindërve dhe bashkëshortes së tij, përveç kërkesave në bazë të huasë në vlerë prej 2,600,000 denarësh dhe llogarive të transaksioneve në dy banka. Familja Kasami posedon oborr, tokë dhe shtëpi në Tetovë, në vlerë totale prej 200,000 eurosh, stoli ari në vlerë prej 1,200,000 denarësh, automobil, si dhe kërkesa në bazë të huasë, qirasë, investimit themelues dhe pjesëmarrje në fitim dhe pjesë.

Deputeti Kastriot Rexhepi në emrin e tij personal ka raportuar se posedon tokë në Saraj prej 1,054m2 dhe një banesë prej 211 m2 në Shkup me vlerë prej 160,350 eurosh, ndërsa në emër të prindërve të tij ka raportuar një banesë prej 91m2 në Shkup, shtëpi prej 222m2 në Resnjë dhe garazh në Shkup. Familja gjithashtu ka një kredi prej 4,612,500 denarësh.

Deputeti Fadil Zendeli raportoi tre kredi në emër të tij dhe në emër të gruas së tij, se posedon një automobil me vlerë prej 600,000 denarësh dhe tokë në Mavrovë-Rostushë me sipërfaqe prej 1,077 m2. Prindërit e Zendelit kanë shtëpi prej 450 m2 dhe një banesë prej 60 m2 në Gostivar.

Në vazhdimin e ardhshëm, “Portalb”-i do t’i publikojë të gjitha të dhënat për gjendjen pronësore edhe të deputetëve të BDI-së, si dhe të deputetit të PDSH-së. Portalb

Leave a Reply