Anëtari i presidencës së Bosnje Hercegovinës, Zheljko Komshiq, ka deklaruar se pavarësisht a ekziston njohja e ndërsjellë në mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës, kjo punë është fakt i kryer.
“Siç qëndrojnë tani punët, duhet të presim, edhe pse unë nuk kam dilema se Kosova është shtet i pavarur”, ka thënë Komshiq për televizionin publik të Kosovës.
Në pyetjen se a ka dakordim për këtë në Bosnjë, Komshiq është përgjigjur: “Nuk kam dakordim për këtë, por kam të drejtë të kem qëndrim timin. Unë nuk do të flas gjithmonë atë që është e dakorduar, për shkak se ne jemi tre në Presidencën e BeH, nuk do të thotë se më duhet autorizimi i Presidencës për të thënë diçka. Në veprimet e mia diplomatike duhet t’u përmbahem disa rregullave të cilat vlejnë në BeH. E përsërisë, për mua Kosova është shtet i pavarur! Kjo tashmë është punë e kryer, vetëm është çështje e momentit kur do ta pranojnë të tjerët në rajon”, thotë Komshiq.
Ndërsa sa i përket një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, Komshiq ka thënë se “gjithë ajo që po ndodh me Kosovën, posaçërisht bisedimet mes Beogradit e Prishtinës, janë çështje e marrëveshjeve të tyre”.
“Por për çfarëdo që ata bien dakord, nuk mund të jetë precedant për zgjidhjen e problemeve, siç thuhet në Ballkanin Perëndimor e posaçërisht në Bosnje Hercegovinë”, ka thënë Komshiq.