Frika e rikthimit të një vale të dytë të koronavirusit ka bërë që disa shtete të Europës të shtojnë masat, sidomos për pasagjerët që kthehen pas pushimeve në vendet ku ka numër të lartë të infektuarish. Kjo frikë u shtua pasi rastet e reja të të infektuarve në Francë, Spanjë, Greqi, por edhe Itali, po vijnë duke u shtuar.
Britania e Madhe ka paralajmëruar se pasagjerët që vijnë nga Franca ka shumë të ngjarë të shtohet në listën e karantinës 14-ditore. Kancelari Rishi Sunak u dha një paralajmërim të ashpër britanikëve se qeveria nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime për të shmangur rritjen e përhapjes së infeksionit. Ky veprim nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të detyrojë britanikët të anulojnë ose shkurtojnë udhëtimet e tyre për të shmangur karantinën dy javore në kthim.
Edhe udhëtarëve që vijnë nga Belgjika, Bahamas dhe Andorra u është thënë se do të duhet të izolohen për 14 ditë pas mbërritjen në Angli. Edhe Gjermania i bën testimet e detyrueshme për të kthyerit nga vendet ‘me rrezik të lartë’. Vendimi vjen pasi Gjermania raportoi 1,045 infeksione të reja me koronavirus.
Nga e shtuna të gjithë personat do të duhet t’i nënshtrohen testeve pas mbërritjes, me përjashtim të atyre që kanë një përgjigje analize që vërteton se janë negativ nga Covid në më pak se 48 orët e fundit. Rregulli përfshin udhëtarët e të gjitha kombësive që vijnë nga shumica e shteteve jo anëtare të BE, përveç Mbretërisë së Bashkuar, si dhe pjesë të Spanjës dhe Luksemburgut.
Testim do të ofrohet falas për udhëtarët nga disa vende ku kapaciteti i testimit është i kufizuar ose i kushtueshëm.