Nga Blerina Cene
“Sa më i fuqishëm ose i lidhur të jetë personi aq më i madh konsiderohet potenciali i tij për të minuar hetimin ose për të ushtruar trysni të papërshtatshme”…
Ky është një ndër argumentet që shërbeu për gjyqtarin e Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, për të lënë në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Në vendimin e zbardhur, të siguruar nga Vizion Plus, ekzistojnë disa risqe të vëna në dukje nga gjykata, që i pezulluan lirinë kryetarit të bashkisë më të madhe në vend. Duke u bazuar edhe në praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Apeli Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar shprehet se Veliaj mund të helmojë provat e të ndikojë mbi hetuesit.
“Gjykata ka pranuar se kur vetë akuza lidhet me shpërdorimin e asaj detyre publike, psh (korrupsion, abuzim me pushtetin), interesi publik për ndëshkimin e veprës dhe nevoja për të garantuar që drejtësia të vihet në vend, janë veçanërisht të larta. Lidhur me rrezikun e ndikimit në procesin e drejtësisë apo e institucioneve shtetërore, kur i hetuari është një zyrtar i lartë në detyrë, GJEDNJ, ka theksuar se fuqia apo ndikimi i tij institucional mund të rrisë rrezikun e ndërhyrjes në procesin e drejtësisë. Kjo do të thotë se personi mund të shfrytëzojë pozitën, kontaktet ose autoritetin e vet për të penguar hetimin”, thuhet në njoftim.
Mundësitë financiare të Veliajt janë të mjaftueshme thotë gjykata që ai të largohet nga vendi. Kjo gjithashtu përbën një arsye sipas Apelit që ai të vijojë qëndrimin në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet prej 11- shkurtit.
“Lidhur me rrezikun e ikjes, sikurse me të drejtë ka arsyetuar gjykata e shkallës së parë, mundësitë financiare të personit nën hetim Erion Veliaj, të vlerësuara në harmoni me lëvizjet e tij të shumta jashtë vendit, referuar të dhënave të sistemit TIMS si dhe të përforcuara nga sanksioni tepër i lartë i veprave penale që dyshohet të ketë kryer ky shtetas dhe që rrezikon të vuajë, e çon gjykatën në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta. Ky konkluzion nuk relativizohet as nga fakti se personi nën hetim është kryefamiljar dhe baba i një fëmije të mitur”, tha Gjykata e Apelit të Posaçëm.
Për gjykatësin e shkallës së dytë, kërkesa e Erion Veliajt për të lënë burgun duke vëndosur garanci pasurore, është e papërligjur.
“Një masë e tillë jo vetëm që, sikurse u theksua, nuk kënaq shkallën e nevojave të sigurimit, por në të njëjtën kohë nuk përputhet me natyrën e veprave që dyshohet të ketë kryer ky person nën hetim, të cilat lidhen pikërisht me përfitimin e parregullt gjatë ushtrimit të detyrës të shumave monetare e pasurive të tjera si dhe me fshehjen e burimit të këtyre përfitimeve”, thuhet në njoftim.



Erion Veliaj u vu në pranga nën dyshimet se ka kryer dy vepra të rënda penale, korrupsion e pastrim parash, të cilat sipas prokurorisë i ka kryer në bashkëpunim me disa biznesmenë dhe gruan e tij, Ajola Xoxa./vizionplus/