Sauditët dhe besimtarë nga vende të huaja do ta kryejnë Umren në Qabe në Mekë me kapacitet 30 për qind
Autoritetet e Arabisë Saudite sot rihapën vendet e shenjta muslimane për kryerjen e Umres pas një pauze gjashtëmujore për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Pas protokolleve të koronavirusit, grupi i parë i haxhinjëve të Umres arriti në orët e para të ditës, njoftoi Ministria e Haxhit dhe Umres në Twitter.
Pa dhënë detaje të mëtejshme, ministria ndau fotografi të vizitorëve që hynin në Qabe në Mekë.
Sauditët dhe banorët e huaj të mbretërisë do të lejohen të kryejnë Umren në Qabe me një kapacitet prej 30 për qind ose 6.000 njerëz në ditë që nga dita e sotme.
Më herët, agjencia zyrtare e lajmeve SPA njoftoi se barrikada e vendosur rreth Qabës dhe Gurit të Zi të shenjtë do të mbeten në vend dhe vizitorët nuk do të lejohen t’i prekin ato si pjesë e masave kundër COVID-19.
Mesxhid al-Haram, ku ndodhet Qabeja, do të dezinfektohet dhjetë herë në ditë, sipas SPA, e cila shtoi se dhomat e karantinës janë përgatitur tashmë për vizitorët që shfaqnin simptoma të COVID-19.
Javën e kaluar, Arabia Saudite njoftoi se gradualisht do të heqë ndalesën e udhëtimit në lidhje me koronavirusin për kryerjen e Umres.
SPA tha se besimtarët vendorë dhe ndërkombëtarë që vijnë për Umre dhe adhurime të tjera do të pranohen nga 1 nëntori, ndërsa Mesxhid al-Haram dhe Mesxhid al-Nebevi do të hapen për adhurim në kapacitet të plotë duke marrë masa mbrojtëse kundër COVID-19.
Për shkak të pandemisë, haxhi këtë vit ishte i kufizuar vetëm për ata që jetojnë në Arabinë Saudite, kurse haxhinjtë nga jashtë nuk u pranuan.
Umreja është një prej riteve islame në qytetin e shenjtë të Mekës që muslimanët mund ta kryejnë në çdo kohë të vitit./AA/