Armenia pranoi menjëherë pas mesnatës kapitullimin përballë Azerbajxhanit në luftën për Karabakun Malor.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, e njoftoi kapitullimin e vendit përmes një mesazhi në median sociale duke shkaktuar një valë reagimesh të fuqishme dhe protestash popullore të dhunshme në Erevan dhe qytete të tjera.
“Së bashku me Rusinë dhe Azerbajxhanin, ne ramë dakord për t’i dhënë fund luftës (në Karabakun Malor). Ne firmosëm një komunikatë të përbashkët për armëpushim me liderin rus, Vladimir Putin dhe liderin azerbajxhanas, Ilham Aliyev. Nuk kisha rrugë tjetër. Kjo është e jashtëzakonisht e dhimbshme për mua dhe për popullin armen”, u shpreh Pashinyan në “Facebook”.
Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjesh për t’i dhënë fund konfliktit në Karabakun Malor ishte “një vendim shumë i vështirë”.
“Vendimi u mor bazuar në analizat e thella të situatës luftarake dhe në shqyrtim me ekspertët më të mirë të fushës”, shtoi ai duke paralajmëruar se të gjithë ata që nxisin rebelimin e popullit, do të vihen përpara drejtësisë.
Ndërkaq, teksa protestat kundër Pashinyanit nuk kanë të ndalur anembanë vendit dhe sidomos në kryeqytetin Erevan, një grup demonstruesish – i njëjti me atë që bastisi selinë e qeverisë dhe kreu akte vandale – këtë herë u fut gjithashtu në Parlament dhe hodhi slogane kundër shefit të qeverisë.
Disa protestues bënë thirrje nga foltorja e Parlamentit për vazhdimin e luftimeve në Karabak.
Presidenti rus, Vladimir Putin, pati njoftuar më herët gjatë ditës së hënë se Azerbajxhani dhe Armenia kishin nënshkruar marrëveshjen për t’i dhënë fund luftimeve.
Marrëdhëniet ndërmjet dy ish-republikave sovjetike kanë mbetur të tensionuara për Karabakun Malor që kur Armenia e pushtoi këtë rajon në vitin 1991, por luftimet e reja shpërthyen pas sulmeve armene mbi civilët azerbajxhanas më 27 shtator 2020.
Që atëherë, Armenia ka sulmuar në vazhdimësi civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur edhe 3 marrëveshje për armëpushim humanitar.
Më 27 shtator, Forcat e Armatosura të Azerbajxhanit filluan një operacion të gjithanshëm për të çliruar rreth 20% të territorit të përgjithshëm të vendit që ishte nën pushtimin e paligjshëm të Armenisë për gati 3 dekada.