Vala e arrestimeve në Malin e Zi nen dyshimin e spiunazhit për interesa të Rusisë, është përshëndetur nga NATO.
Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, shprehur solidaritetin e plotë me Podgoricën në mesin e masave drastike të saj dhe operacioneve blic, që synojnë frenimin e ndikimit të Moskës.
“NATO-ja solidarizohet plotësisht me aleatin tonë të vyer, Malin e Zi, në kohën kur ai po ndërmerr masa për të ruajtur sovranitetin dhe demokracinë e tij përballë spiunazhit dhe veprimeve të tjera destabilizuese e dashakeqe të Rusisë. Ballkani Perëndimor është rajon me interes strategjik për Aleancën tonë dhe ne mbetemi gjithmonë vigjilentë”- tha Stoltenberg.
Policia malazeze është duke kryer një sërë kontrollesh e bastisjesh me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit. Së fundi gjashtë diplomatë rusë, të akredituar në Podgoricë, u shpallën persona non grata për shkak të “veprimtarive që bien ndesh me Konventën e Vjenës për marrëdhënie diplomatike”.
Dëbimi i diplomatëve rusë u lidh me një aksion të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi dhe Prokurorisë Speciale për hetimin e lidhjeve të dyshuara midis disa shtetasve malazezë dhe rusë me shërbimet e inteligjencës së Federatës Ruse. NATO-ja dhe Bashkimi Europian disa herë kanë tërhequr vëmendjen tek për veprimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke insistuar se qëllimi i Moskës, është të destabilizojë rajonin.